“Nëse më sillni prokurorin, do t’i tregoj të gjitha”, drejtori i burgut të Peqinit: Negociatat që çuan në dorëzimin e Sokol Mjacajt

schedule12:02 - 19 Dhjetor, 2023

schedule 12:02 - 19 Dhjetor, 2023

ABC News ka siguruar dosjen hetimore në lidhje me dëshminë e dhënë nga drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha, për vrasjen që i dënuari përjetë Sokol Mjacaj kreu në këtë institucion, ku ekzekutoi Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan, edhe ata të dënuar përjetë.

Kamber Hoxha ka deklaruar se Sokol Mjacaj pasi kreu vrasjen, u vendos te objekti ku kryhen takimet e familjarëve dhe kishte mbyllur derën nga brenda. Pasi u afrua te dera, Mjacaj i tha se donte prokurorin dhe nëse do e sillinin, do të dorëzonte armën e do i tregonte të gjitha.

Hoxha nënvizoi se pas shumë negociatash edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, i dhanë Mjacajt prangat me të cilat u prangos vetë dhe e la armën në tokë.

Pjesë nga dosja hetimore në lidhje me dëshminë e Kamber Hoxhës

“Pas kësaj u futa në ambientet e brendshme midis dy godinave të akomodimit të dënuarve dhe ka shkuar tek vendi ku ishte i vendosur i burgosuri Sokol Mjacaj. Objekti ishte ku bëhen takimet e familjarëve dhe kishte mbyllur derën nga brenda dhe po qëndronte aty. Mësova nga punonjësit e policisë të planizuar në ajrosje dhe takimet me familjarët se i dënuari Sokol Mjacaj, ishte tek dhoma e takimeve dhe kishte armë me vete. Afrohem tek dera dhe i burgosuri më tha që dua prokurorin se do ta dorëzoj armën. Në këto momente, i thashë një polici që të njoftonte oficerin e informacionit që të më sjellë telefonin brenda. Në orën 14:01 telefonova Drejtorin e Përgjithshëm, i cilit i raportova që kemi një ngjarje, plagosje me armë të dy bashkëvuajtësve të dënimit dhe pistoletën e ka me vete. Pastaj kam qëndruar mbrapa derës, kurse Sokoli qëndronte nga brenda derës.

E vetmja kërkesë që kishte, ishte që kërkonte prokurorin. Thoshte që nëse vjen prokurori do të dorëzoj armën dhe do t’i tregoj të gjitha. Pas shumë negociatash bashkë me drejtorin e përgjithshëm shkuam, i dhamë një palë pranga, me të cilat u prangos vetë dhe e la armën në tokë siç i thamë neve. Hapi derën dhe e shoqëruam me shërbimet e policisë. Procedura e akomodimit në dhomë të një të dënuari i cili në rastin e parë që vjen i trasferuar nga një IEVP tjetër, apo paraburgim bëhet duke u vendosur në godinën e observimit (ambientet e pritjes), ku mësohet lidhur me konfliktet, njohjen e personalitetit të tij, njohjen me vendimin nga sektorët përkatës. Më pas bëhet akomodimi në dhomë i tij, duke marrë parasysh se në sektorin e tij mos të ketë konflikte apo hasmërira.

Në të gjitha rastet që bëhet sistemimi i të dënuarve nëpër dhoma, procedura është e tillë: Propozohet nga shefi i regjimit të brendshëm, në rastin konkret në IEVP Peqin është punonjësi me gradë nënkomisar, i quajtur Vilson Shima dhe përgjegjësi sektorit Shoqëror që është shtetasi Agim Haka dhe miratohet nga shefi policisë i IEVP-së, dhe më pas konfimohet nga Drejtori IEVP-së. I dënuari Sokol Mjacaj është në sektorin e sigurisë së lartë për shkak të vendimit gjyqësor ku caktimi i sigurisë vendoset me vendim gjykate.”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!