Nëse ka vetëm një Zot, pse ekzistojnë kaq shumë fe?

schedule20:30 - 9 Dhjetor, 2022

schedule 20:30 - 9 Dhjetor, 2022

Nga Rabini Allen S.Maller

Kjo është një pyetje e mirë, dhe që mua si Rabin më është bërë shpesh. Ja cila është përgjigja ime:Kurani deklaron se Allahu mund të na kishte bërë të gjithë ne monoteistë, pra një bashkësi të vetme fetare. Por nuk e bëri këtë për të testuar përkushtimin tonë ndaj fesë, që i është dhënë secilit prej nesh nga Zoti.

“Sikur të donte Allahu, do t’ju bënte një popull të vetëm, por plani i Zotit është t’ju provojë në atë që ju ka dhënë:pra të konkurroni në të gjitha virtytet si në një garë. Qëllimi i të gjithëve është që të kënaqin Allahun, i cili do t’ju ​​tregojë të vërtetën e çështjeve mbi të cilat ju garoni”. (Kurani 5:48)

Kjo do të thotë se pluralizmi fetar është vullneti i Zotit. Megjithatë, për shekuj me radhë, shumë besimtarë në një Zot, kanë kritikuar dhe përçmuar fetë e njëri-tjetrit. Madje disa besimtarë kanë imponuar konvertime, dëbime dhe inkuizicione.

Të gjithë monoteistët i luten të njëjtit Zot, dhe të gjithë profetët e besimeve monoteiste frymëzohen nga i njëjti Zot. Atëherë, si lindi kjo intolerancë, dhe si mund ta eliminojmë intolerancën fetare nga fetë Abrahamike?

Me kërkesën e saj që e vërteta duhet të jetë e pandryshueshme dhe universale, filozofia greke nxiti shumicën e mësuesve të shkrimeve të shenjta gjatë Mesjetës të besonin se feja ishte një lojë me shumën zero:pra sa më shumë të vërteta të gjesh në shkrimet e fesë tënde, aq më pak të vërteta ka në shkrimet e shenjta të fesë tjetër.

Në vend se t’i konsideronin tekstet e ndryshme si plotësuese, ata i cilësuan ato si kontradiktore, duke e shpallur si të rremë tekstin e shenjtë të fesë tjetër. Në vitin 1065 Papa Aleksandri bëri thirrje për një Kryqëzatë kundër maorëve në Spanjë.

Pastaj në vitin 1073, Papa Gregori firmosi një​​ shpallje zyrtare duke u kërkuar princave të krishterë të rimerrnin kontrollin e tokave të pushtuara nga myslimanët në Spanjë, mbi të cilat ai pretendoi sovranitetin papnor në bazë të sundimit dhe të drejtës së mëparshme të krishterë. Këto dekrete ishin në fakt fillimi i Kryqëzatave të Krishtera kundër Islamit.

Idetë e Papa Gregorit për luftën e krishterë, u shtrinë edhe në luftën kundër armiqve të brendshëm të Kishës (siç ishin protestantët). Për shembull në vitin 1209, Papa Inoçenti III i kërkoi një grupi fisnikësh në Francën e Veriut të mblidhnin një ushtri bashkë me rajonet e Francës Jugore.

Ata organizuan një kryqëzatë shumë të përgjakshme, që përfshiu edhe plaçkitjen e Bezie nga një ushtri e madhe nën autoritetin papnor. Pak para sulmit, që do të sillte vrasjen e  15-20.000 burrave, grave dhe fëmijëve, përfaqësuesi i Papës në atë sulm, Arno Amalrik, raportohet të kenë dhënë një nga urdhrat më famëkeq të historisë:“Vritini që të gjithë. Zoti do t’i njohë kush janë të vetët!”.

4-5 shekujt e ardhshëm të luftërave ushtarake fetare në Evropë dhe Lindjen e Mesme,ishin  rezultat i 2-3 shekujve të mëparshëm të luftërave verbale të gjithanshme midis Krishterimit dhe Islamit. E vërteta fetare, u shndërruan në një lojë me shumën zero:çdo gjë pozitive e thënë për një fe tjetër, shihej si një dobësim i fesë së dikujt.

Synimi nuk ishte që njerëzit të përpiqeshin në mënyrë modeste të harmonizonin perspektivat e ndryshme fetare mbi një Zot të vetëm; por për të zmadhuar dallimet fetare, përtej çdo kuptimi të arsyeshëm midis të dy palëve.

Në rast se feja do të promovojë paqen në botën tonë pluraliste, ne duhet që ta refuzojmë ideologjinë e lojës me shumën zero, dhe të përhapin mësimet pluraliste që tashmë ekzistojnë brenda shkrimeve tona të shenjta. Në fund të fundit “të gjithë profetët janë vëllezër. Ata kanë të njëjtin baba (Zotin), por nëna të ndryshme (gjuhët amtare, tokat amë, dhe rrethanat unike historike, që shpjegojnë të gjitha dallimet në shkrimet e tyre).

Siç tha edhe Ebu Hurejra, I Dërguari i Allahut:“Si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër, unë jam më i afërti nga të gjithë njerëzit me Jezusin, birin e Marias. Profetët janë vëllezër nga babai; nënat e tyre janë të ndryshme, por feja e tyre është një”. (Buhari, Libri #55, Hadithi #652).

Pra “Profetët janë vëllezër në besim, edhe pse kanë nëna të ndryshme. Megjithatë feja e tyre është një”. (Libri i Myslimanit #030, Hadithi #5836). Unë jam një rabin reformator, dhe u  interesova për herë të parë mbi Islamin kur e studiova në Universitetin Hebraik në Jeruzalem 60 e ca vjet më parë.

Unë e kam vazhduar studimin tim mbi Islamin pa ndërprerje për shumë vite, dhe prej kohësh e konsideroj veten si një rabin reformator dhe një hebre mysliman. Në fakt unë jam një hebre mysliman, pra një hebre besnik që i nënshtrohem vullnetit të Zotit, sepse jam një rabin reformator.

Profeti Abraham ishte hebreu i parë mysliman pasi në Kuran 3:67 thuhet:Ai (Abrahami) nuk ishte Jahudijaun, pra një hebre, dhe as Nasranijan, pra një i Krishterë, por më tepër një Hanifaam, një mysliman, domethënë “një besimtar monoteist hebraik që i nënshtrohet (Islamit) Zotit të vetëm pa një imazh, që krijoi të gjithë hapësirën dhe kohën; dhe që krijoi  me pasardhësit e profetit Abraham, nëpërmjet profetëve Isak dhe Jakob (Izraelitë), një numër të madh monoteistësh të quajtur Populli i Izraelit, Banu Izrael.

Profeti Isaia tha:”Por ti, Izrael, shërbëtori im, Jakobi, që unë kam zgjedhur, je pasardhës i Abrahamit, mikut tim;” (Isaia 41:8) Kështu, pasardhësit biologjikë të profetit Abraham (Banu Izraeli), u bënë bashkësia e parë monoteiste në vazhdim, kur Zoti i shpëtoi ata nga shtypja e egjiptianëve; dhe pati me ta një besëlidhje të vazhdueshme me ta në malin Sinai. Profeti Abraham nuk lindi hebre, por pasardhësit e tij nga nipi i tij Jakobi/Izraeli u bënë Banu/Izraeli, populli hebre.

Për 1200 e ca vjet pas Profetit Moisi, Banu Israel ishte i vetmi komunitet monoteist në botë. Në dallim nga bashkësitë e tjera monoteiste që u ngritën dhe ranë gjatë atyre shekujve; shumica, por jo të gjithë, nga Banu Izraeli i qëndruan besnikë besëlidhjes që Perëndia bëri me ta në Malin Sinai.

Si rabin unë jam besnik ndaj besëlidhjes që bëri Perëndia me Abrahamin – hebreu i parë mysliman – dhe i nënshtrohem urdhërimeve që Perëndia i dha popullit të Izraelit në Malin Sinai. Por si një rabin reformator, unë besoj se udhëheqësit shpirtërorë hebrenj duhet të modifikojnë traditën hebraike, teksa po ndryshojnë rrethanat shoqërore dhe historike.

Po ashtu unë besoj se ne nuk duhet ta bëjmë të vështirë këtë fe për njerëzit që e praktikojnë. Këto janë mësimet që predikoi edhe profeti Muhamed 12 shekuj para ngritjes së Judaizmit Reformator në fillimin e shekullit XIX.

Unë zgjedh të përdor Kuranin dhe Hadithet për të ilustruar argumentin se të gjitha fetë, përmbajnë deklarata që shpallin dhe miratojnë pluralizmin fetar. Ato përmbajnë ndërkohë edhe deklarata të tjera, që duket se pretendojnë ekskluzivitet fetar. Këto pikëpamje të kundërta janë vullneti i Zotit, në mënyrë që të ne mund të sprovohemi.

Zgjedhja midis së mirës dhe së keqes, është një zgjedhje morale që mund ta bëjnë edhe agnostikët dhe ateistët. Besimtarët duhet të besojnë në të gjitha fjalët e Zotit, por nëse vlerësojmë mirësinë, përulësinë dhe paqen, ne jemi të detyruar të zgjedhim të kuptojmë deklaratat në dukje ekskluzive në kontekstin e deklaratave pranuese. Ky është vullneti i Zotit, në mënyrë që besimtarët të sprovohen në përkushtimin e tyre ndaj mirësisë, përulësisë dhe paqes.

Shënim: Allen Maller u tërhoq në vitin 2006 pas 39 vjetësh si rabini i Tempullit Akiba në Kalver Siti, Kaliforni. Ai është autor i një libri mbi misticizmin hebre ”Zoti, seksi dhe kabala”. / EurAsia Review/