Nëntori “kuq e zi”/ Rikthime të rëndësishme në kombëtare për sfidat e ardhshme

schedule14:03 - 3 Nëntor, 2024

schedule 14:03 - 3 Nëntor, 2024

Pritjes po i vjen fundi, ndërsa për kombëtaren e Shqipërisë afrohen dy sfidat e fundit në Ligën e Kombeve, por edhe ato që do të mbyllin vitin 2024 për Silvinjon dhe të besuarve të tij.

Më 16 dhe 19 nëntor në “Air Albania”, skuadra kuqezi do të presë në fillim Çekinë dhe më pas Ukrainën për të vendosur fatin e saj në Grupin B1 të turneut.

Pas katër ndeshjeve të para Shqipëria renditet në vendin e tretë me 6 pikë, po aq sa Gjeorgjia dhe vetëm 1 më pak se kryesuesit e Çekisë.

Për këtë arsye, përballja e parë e nëntorit pritet të jetë vendimtare.

Silvinjo dhe stafi i tij e dinë shumë mirë këtë, ashtu siç janë të bindur se kanë nevojë për lojtarët më në formë.

Përpara se lista e të grumbulluarve për ndeshjet e ardhshme të zyrtarizohet, trajneri kuqezi ka marrë sinjale pozitive nga disa prej lojtarëve të rëndësishëm.

Kapiteni Berat Gjimshiti, që humbi katër sfidat e para për shkak dëmtimi është gati për t’u kthyer, ndërsa edhe pjesa tjetër e lojtarëve difensivë si Ismajli, Ajeti apo Kumbulla po luajnë me vazhdimësi me skuadrat e tyre.

Në mesfushë, Asllani është rikuperuar megjithëse vazhdon të mos gjejë hapësira me Inter. Por në këtë repart si gjithmonë garanci janë Ramadani dhe Laçi, gjithmonë titullarë me ekipet e klubeve.

Lajmi të mira vijnë edhe nga sulmi. Uzuni dhe Manaj janë gati dhe vijnë me gola, ashtu si Bajrami dhe Muçi, që gjithashtu kanë gjetur rrugën e rrjetës.

Silvinjo shpreson që këto gola dhe formë, futbollistët kuqezi t’I transferojnë edhe në kombëren e Shqipërisë për sfidat e nëntorit./abcnews.al