Zyra e Prokurorit të Bosnje e Hercegovinës tha se ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë serbëve të Bosnjës për vrasjen e mbi 100 boshnjakë. Vrasjet thuhet se kanë ndodhur pak kohë pas nisjes së luftës në Bosnje më 1992.
Kjo aktakuzë është në vazhdën e disa aktakuzave që janë ngritur së fundmi në Bosnje e Hercegovinë lidhur me krimet e luftës.
Në njoftimin e Prokurorisë u tha se nëntë ish-anëtarë dhe komandantë të ushtrisë së serbëve të Bosnjës dyshohet se janë përfshirë në vrasjen e dhjetëra grave, të moshuarve dhe fëmijëve nga 2 deri në 15 vjeç në zonën Nevesinje, të dominuar nga serbët, në juglindje të Bosnjës.
“Mbetjet mortore të 49 personave janë gjetur, ndërkaq 47 viktima ende konsiderohen të pagjetur”, u tha në njoftimin e Zyrës së Prokurorit. Të dyshuarit u arrestuan më 16 dhjetor.
Prokuroria tha se në mesin e viktimave janë edhe shtatë familje që janë vrarë.
Njoftimi për ngritjen e aktakuzës vjen në kohën kur janë kryer disa arrestime për krime lufte nga Agjencia për Hetime dhe Mbrojtje e Bosnje e Hercegovinës.
Bosnja shpalli pavarësinë më 1992 që nxiti konfliktin e viteve 1992-95, ku u vranë pothuajse 100 mijë persona dhe u zhvendosën mbi 2 milionë të tjerë./Express