Nëntë golat “axurrë”, Italia e Mancinit plot me rekorde

schedule12:18 - 19 Nëntor, 2019

schedule 12:18 - 19 Nëntor, 2019

Italia vazhdon me fitoret e thella dhe me rekordet. Pas suksesit 9-1 ndaj Armenisë, trajneri Roberto Mancini nuk di cilët yje të zgjedhë për në finalet e Europianit.

Kishte 70 vjet që nuk shënoheshin 9 gola në një ndeshje, edhe pse ka ndodhur që të ketë shënuar më shumë.  Suksesi 9-1 ndaj Armenisë, në ndeshjen e fundit të eliminatoreve të Europianit, kujtoi atë 9-0 të Italisë ndaj SHBA-së në Olimpiadën e vitit 1948.

Trajneri Roberto Mançini padyshim që lumturohet për paraqitjet e skuadrës së tij, por po ashtu edhe shqetësohet. Problemi i tij më i madh tani është se kë do të zgjedhë për fazën finale verën e ardhshme. Të kaltrit papritur janë mbushur me talente, nga porta deri në sulm, Donnarumma e Golini, Bonucci e Tonali, Barela, Orsolini, Jorginho, Chiesa, Zaniolo, Immobile apo Belotti.

“Do të ishte fatkeqësi të lija në shtëpi ndonjë nga këta djem”, – u shpreh Mancini, duke e pasur fjalën për listën përfundimtare për finalet e Europianit vitin tjetër. Ciro Immobile shënoi dy herë ndaj armenëve, duke qenë në formë të madhe, Nikolo Zaniolo u bë më i riu lojtar i Romës që realizon në kombëtare (madje 2 gola), ndërsa nuk mbetën prapa Barela, Romagnoli, Joriginho dhe Orsolini.

Kurrë më parë Italia nuk kishte fituar të gjitha ndeshjet e një cikli eliminator.  Mancini barazon arritjen e Arrigo Sakit, me 13 fitore në 19 ndeshjet e para me kombëtaren.  Italia ka arritur të shënojë edhe më shumë gola në një ndeshje, siç bëri në 1928 ndaj Egjiptit po në Olimpiadë, kur fitoi 11-3, por gjithsesi edhe ekipi i sotëm premton për lavdi. /ABC NEËS ALBANIA 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!