Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza apo me epitetin “nëna e gjithë botës” mbetet ndër figurat më reprezentuese të shqiptarëve, për sa i përket arritjeve, bujarisë e kulturës që ky popull gëzon. ajo është e para dhe aktualisht e vetmja shqiptare që ka fituar çmimin Nobel për paqe.
Për të janë shkruar me qindra letra gazetash, artikujsh e librash e vazhdon të shkruhet, për mënyrën se si gjatë një jete të tërë, një grua arriti të dhurojë veç dashuri, pa mallkuar e hedhur poshtë askënd. Në një datë si kjo gjashtë vite më parë, më 4 shtator të vitit 2014, ajo u shenjtërua nga Papa Françesku dhe u nderua me titullin Shën Tereza, në një ceremoni të veçantë shenjtërimi të organizuar në Vatikan.
Teksa pjesëmarrës për ta parë nga afër ishin personalitetet më të shquara shqiptare – aty në rreshtat e parë ishte edhe një zonjë e cila kishte pasur fatin dhe nderin që të njihej me Gonxhen që në vitet e fëmijërisë. Është kjo Liri Berisha, ish-Zonja e Parë e Shqipërisë, e cila prej një viti ka nxjerr në treg edhe një libër të titulluar “Nënë Tereza në jetën time”.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Liri Berisha rrëfen për mënyrën si “hyri” Nënë Tereza në jetën e saj, si ishte nga afër nobelistja e parë shqiptare e vlerësuar nga mbarë bota dhe sa ka shërbyer si frymëzim Nënë Tereza në punën e saj si presidente e dy fondacioneve humanitare që drejton.
Telegrafi: Eksperiencën tuaj mbi njohjen me shenjtoren e keni përmbledhur në një libër të titulluar “Nënë Tereza në jetën time”. Si erdhi ideja e botimit të këtij libri?
Liri Berisha: Nuk e kisha menduar se mund të shkruaja ndonjëherë libër e aq më shumë për Nënë Terezën, këtë personalitet botërorë, pasi kjo kërkonte përgjegjshmëri, sinqeritet, hulumtim, fakte, rregulla e të lexoje shumë. Arsyet për të shkruar këtë libër nuk janë një apo dy, por disa. Me anë të këtij libri si dhe nëpërmjet Fondacionit Kulturor Nënë Tereza që kam pasur nderin ta krijoj dhe drejtoj, nuk kam pasur qëllim vetëm të vë në dukje origjinën e Gonxhes sonë, që ne si bashkatdhetar na bën të ndjehemi krenarë. Nuk kam pasur qëllim as të flas për kontributin e saj të jashtëzakonshëm dhe vetëmohimin e saj ndaj njerëzimit me të cilin mahniti botën. Me këtë libër kam dashur të shlyej sado pak atë detyrim që ne si shqiptarë kemi ndaj këtij personaliteti, që u la në harresë deri në fund të viteve 80 e që i dha emër e krenari këtij populli atëherë kur ishte rrëzuar keqas, krenari që na mungoi në disa dekada diktature dhe që mori prej tij mohimin absurd dhe të pamerituar gjatë regjimit komunist. Ndërkohë që bota e nderonte me çmimin Nobel, këtë grua që kishte gjakun tone dhe që i dha rrëzëllimin gati mitik përkushtimit ndaj vuajtjes, ajo me krenari deklaronte se ishte shqiptare, por në vendin e saj, persekutimi i egër dhe lufta ndaj besimit fetar nuk lejonte as të përmendej. Brezi që pati fatin të mos e provoj jetën në diktaturë e ka të vështirë të kuptoj qëndrimin e mbajtur ndaj shumë figurave të shquara të kombit e veçanërisht Nënë Terezës. Jo rrallë jam ndeshur me zhgënjimin dhe qortimin e heshtur të tyre, pasi nuk arrijnë të binden, ata kërkojnë një dëshmi të asaj kohe. Ata nuk arrijnë të kuptojnë atë histori të pa merituar trishtimi, dhimbje dhe vetmie që ne kaluam, edhe pse është e vështirë të hidhet pas krahëve, është e vështirë të kuptohet nga ky brez.
Telegrafi: Çfarë mund të na thuash në pika të shkurtra rreth librit tuaj?
Liri Berisha: Pyetjeve që më bëheshin shpesh nga nipërit dhe mbesat, se përse nuk pranohej dhe pse konsiderohej i rrezikshëm njeriu më paqësor dhe më apolitik. Përse u la në harresë personaliteti me gjak shqiptari, që e nderonte e gjithë bota me kaq shumë çmime e vlera, rezultuan të bëhen një shtysë më shumë për të shkruar. Pyetjet e tyre janë të drejta e të shumta, gjykimi i brezave e ndjej se do na ndjek. Nuk mund të qëndroja indiferente ndaj një të vërtete të pamohueshme. Ballafaqimi me të shkuarën nuk është i lehtë, madje, mendoj se hapi më I vështirë është kur ne arrijmë të ngrihemi e të flasim për gabimet ose fajet tona. Jeta dhe misioni i Nënë Terezës duhet të jetë një busull nga rinia duhet të kthej sytë për të mësuar më shumë e pyetur më pak. Arsyet për të shkruar ndodhen edhe në thellësi të shpirtit dhe bëhen frymëzim. Kurse arsye të sipërfaqshme, në kuptim të lexueshme, të dallueshme janë të lidhura me detyrimin shoqëror që në rastin konkret unë kam, pasi aq sa kam jetën time personale, po aq ajo është edhe investim i shoqërisë, për të cilën lind edhe detyrimi shoqëror që unë kam. Në këtë libër kam dashur të tregoj se edhe kur me të drejtë ky brez na gjykon për atë pjesë të imponuar të historisë dhe jetës ton, ata duhet ta din se pjesë e jona është edhe forca për tu ngritur dhe për të mos harruar. Shteti shqiptar e dënoi NT me heshtje dhe harresë pasi misioni i saj bazohej në bindjen ndaj Zotit. Edhe pse ishim vend ateist, edhe pse nuk lejohej e luftohej besimi, bashkëjetesa fetare mbeti pasuria dhe vlera më e çmuar e popullit ton. Përkundrejt kësaj varfërie ne shqiptarët i falëm botës, personalitetin më të shquar shpirtëror, përfaqësimin më epror, të shenjtën Nënë Tereza e cila u gjind pranë dhimbjes, skamjes dhe mjerimit për të dërguar paqe e lehtësuar atë. U gjind pran errësirës për të dërguar dritë. Ajo mbeti model i përbotshëm vlerash me të cilat sot ne me të drejt krenohemi. Ajo duhet konsideruar si një bekim për ne shqiptarët. Të habiste se si kjo grua e vogël fizikisht pa post e pa pushtet kishte kaq autoritet sa dëgjohej dhe nuk kundërshtohej nga askush.
Telegrafi: Znj. Liri, a mund të na tregoni si jeni njohur me Nënë Terezën dhe familjen e saj?
Liri Berisha: Një shtysë dhe motiv për të shkruar ka qenë edhe fakti se e kam takuar disa herë Nënë Terezën dhe që fëmijë e kam njohur nënën dhe motrën e saj. Kam pasur fatin ta njoh dhe takoj Nënë Terezën në disa periudha të jetës time. Unë fillova ta njoh atë si vajza me emrin Gonxhe, kur isha akoma fëmijë, kur nuk e njihja famën e saj, as shkrimet që mbushnin faqet e gazetave, kur në Shqipëri nuk njihej dhe nuk flitej as edhe një fjalë për të. Por në jetë në thellësi, brenda meje ky emër më lidhte me burimin, origjinën e familjes së saj, duke zënë vend në kujtesën time si vajza e asaj zonje të heshtur e të vuajtur, e asaj familje patriote shqiptare, që me aq nderim dëgjoja tek fliste gjyshja ime myslimane me mamanë time ortodokse. Pas humbjes së të shoqit, Kolës, largimit për shkollim të djalit të saj Lazrit dhe vajzës 16 vjeçare Gonxhes, nëna Drane dhe vajza e saj e madhe Age u vendosën në Tiranë në shtëpinë e patriotit Kosovar Avni Zajmi. Për shumë vite në këtë shtëpi ato dy zonja ndjen bujarinë, zemërgjerësinë dhe dashurin e kësaj familje të madhe. I kujtoj shpesh ato dy gra në pragun e një porte të vogël që me shikim nga qielli mërmërisnin, luteshin me shpirt për diçka të largët e të pa mundur. Dukeshin të menduara, të mërzitura, e të lodhura shpirtërisht. Ashtu të heshtura tërë ditës punonin punëdore me të cilën ushqeheshin. Në komunikim, qëndrimin dhe veshjen e tyre kishte një zonjëllëk që fliste për një kulturë të hershme familjare. Kur ndodheshim pranë saj na përkëdhelte lehtë me një zë të ëmbël në dialektin verior si të gjyshes time “Ju paste nana apo Zoti ju rujt” i kam kujtuar ndër vite ato dy zonja edhe pse vitet na ndanë.
Telegrafi: Mesa dimë jeni takuar në fëmijëri, por u deshën dy dekada më pas që ju të takoheshit sërish. Si ishte ri-takimi pas një kohe aq të gjatë?
Liri Berisha: Pas më shumë se dy dekadash në dhjetor të vitit 1979 kur isha bërë nënë e dy fëmijëve, dëgjova një lajm në një stacion të huaj televiziv, që i shikonim fshehurazi, një lajm që më gozhdoi. Një shqiptare trup imët e veshur me një mbulesë të bardhë me vija blu merrte çmimin Nobel për paqen dhe me krenari deklaronte para gazetarëve se me gjak jam shqiptare duke lënë të habitur jo vetëm të huajt në mbarë botën, por edhe bashkatdhetarët e saj që e shihnin për herë të parë në ekran. Ndërkohë që ndjeheshim krenar për nderimin e merituar që bëhej nga e gjithë bota, censura në vendin e saj vazhdonte dhe në momentin më kulmor, marrjen e çmimit Nobel. Prindërit më shpjeguan se Gonxhe Bojaxhiu, apo siç njihej ajo në botë, Nënë Tereza, ishte vajza e nënë Dranes, asaj zonjës së heshtur që e kisha njohur në shtëpinë e Zajmëve. Mësova që edhe pse kishte kërkuar disa here të vinte në Shqipëri, në vendin e saj të takonte nënën, lutjet dhe kërkesat e shpeshta, i ishin refuzuar nga regjimi në mënyrë kategorike. Gonxhja, figura më përfaqësuese e kombit tonë, që mbillte paqe kudo që shkonte me vlerat dhe përpjekjet për të mjerët, konsiderohej e rrezikshme për vendin e saj.
Telegrafi: Ju ishit afër nënës dhe motrës së Nënë Terezës (Drane dhe Age Bojaxhiu) në Tiranë, gjë të cilën ajo nuk pati fatin të ishte shkaku i rrethanave politike dhe sistemit komunist të asaj kohe. Sa ishte e dhimbshme për ty të përjetosh pengjet e mos-takimit nga të dyja palët, duke qenë se ishit pranë të dyja palëve, por në periudha të ndryshme?
Liri Berisha: Nëna Drane u largua nga kjo botë me shpirt të lodhur, zemër thyer pa mundur të shohë edhe një herë të vetme të bijën, duke marrë me vete mallin. U largua me sytë e përlotur përherë nga dera në pritje të një letre prej së bijës. Iku pa marr një pikë ujë nga duart e saj, pa dëgjuar një lutje, atë lutje që Gonxhja, bija e saj, ia dhuronte pareshtur njerëzve të varfër e të braktisur. Humbja e nënës dhe motrës ishte dhimbje dhe trishtim për Gonxhen e cila erdhi në Shqipëri atëherë kur nuk kishte kush ta kundërshtonte më ardhjen e saj. “Dhimbja është e paskajshme, por dhe dashuria gjithashtu”, mërmëriste me mall ajo. Ajo kohë nuk ndau vetëm Gonxhen nga nëna e saj, por ai regjim totalitar na kishte ndarë nga Nëna e botës edhe ne bashkatdhetarët e saj, duke krijuar një hendek, që na bënte të ndiheshim keq, aq më tepër kur na duhej të flisnim për prejardhjen e një gjaku me të.
Telegrafi: Më 4 shtator të vitit 2016, Nënë Tereza fitoi titullin Shën Tereza pas një shenjtërimi madhështor në Vatikan. Si u ndjetë ju atë ditë, duke qenë edhe vet prezente në këtë ngjarje?
Liri Berisha: Shenjtërimi i Nënë Terezës, me 4 shtator 2016, nga Papa Françesku ishte një mrekulli. Ishte një ditë historike, shenjtërohej nëna e gjithë botës. Kam pasur fatin dhe nderin të jem me Saliun prezente në këtë ceremoni madhështore, ku nobelistja e parë shqiptare u bë mrekullia e botës. Nga ati i shenjtë ajo u quajt “shpërndarëse e mëshirës hyjnore”. Mijëra shqiptarë të përlotur nga të gjithë anët uronin njëri-tjetrin me emocione të fuqishme në atë shesh të madh, mbushur me flamuj kuq e zi. Nënë Tereza është një bekim për ne shqiptarët, ajo ngriti urat mes popujve për të afruar zemrat e njerëzve dhe e pushtoi botën me buzëqeshje, dashuri dhe lutje. Ne bashkëkombësve na dha emër dhe krenarinë e të qenit të një gjaku me të. Duket se virtytet dhe cilësitë e shpirtit të një vajze apo gruaje shqiptare pasqyroheshin më bukur e besueshëm në veprën e saj. Ajo mbeti krenaria e përfaqësimit tone si gra e si nëna, është modeli që na udhëheq. Jam ndjerë e lumturuar, kur artist me fame botërore, të gjithë shqiptar, interpretuan me madhështi vlerat shqiptare në një koncert madhështor, duke ngritur lart kryevlerën tonë Nënë Terezën.
Telegrafi: Shqiptarët tashmë kanë dëshmuar se janë të arrirë në fusha të ndryshme jashtë vendit. Sa ju gëzon fakti të shihni bashkëkombës tuaj që korrin sukses ndërkombëtar në: muzikë, sport, letërsi, filantropi e të tjera dhe kë do të veçonit?
Liri Berisha: Sot talentët shqiptarë në mbarë botën me vlerat që demostrojnë kanë ngritur lart emrin e vendit dhe na bëjnë të ndjehemi krenar, në të gjitha fushat. Ato janë jo një e dy por gjenerata talentesh që shkëlqejnë në botë duke na bërë të njohur dhe do ishte e pa drejtë të harroja ndonjë, por krenaria për ta i rri kombit si një aureolë e praruar.
Telegrafi: Nga afërsia me të, çfarë kujtoni më shumë nga ajo: Si ishte Nënë Tereza si person nga afër?
Liri Berisha: Kam pasur fatin ta takoj Nënë Terezën pas rënies së komunizmit dhe vizitën e pare e bëmë me Saliun në qendrën e sapo hapur prej saj, në Tiranë. Më dukej sikur po takoja një person me të cilën isha njohur dikur e dija diçka më tepër, çka ma shtonte padurimin dhe kuriozitetin. Atë të shtunë pas dite bënte një mot I ftohtë bore. Portën e madhe të oborrit na e hapi njëra nga motrat e cila na shoqëroj në një dhomë të madhe, mbi parketin e së cilës, të përkulura pastronin 4-5 motra. Nuk po arrija tu besoja syve. Nënë Tereza ishte njëra prej tyre që e përkulur lante parketin. Fjalët e ngrohta dhe urimin e mirëseardhjes i shoqëroi me përkulje dhe disa lutje. Tek afrohej drejt nesh me krahët e hapur, nuk doja të humbisja asgjë nga ky takim i pare dhe i shumë pritur. Fillimisht më bëri përshtypje, imtësia fizike, brishtësia e saj tek mendoje për kontrastin e madh me punën e saj gjigante. Duheshin pak minuta të kuptoje fuqinë magjike të saj, që reflektohej në ecjen e lehtë dhe të shpejt, në zërin kumbues e deri diku imponues, në komunikimin e ngrohtë e të vendosur që përçonte një force që nuk qëndronte në raport të drejtë me moshën që kishte mbi supe. Ashtu e thjeshtë me një vështrim të butë dhe dashamirës, me një triko blu hedhur mbi sarin e bardhë, pa çorape e me një pare sandale që nuk ja mbulonin gishtat e deformuara nga kallot, hyri midis nesh. Vështrimi im u fiksua tek këmbët e saj të zbathura të cilat në kundërshtim me rrezatimin e brendshëm, ëmbëlsinë njerëzore të fytyrës, artin e fjalës, buzëqeshjen e ngrohtë dhe ecjen energjike, ashtu të deformuara e me kallo, ishin të vetmet që pasqyronin besnikërisht moshën dhe mundimin e jetës. Ato këmbë kishin shkelur në të gjithë botën. Fillova të ndihem në siklet dhe nuk dija ku ti fshihja çizmet e mia të ngrohta dhe shallin e trashë me të cilat isha veshur atë ditë të ftohtë. Na shoqëroi brenda asaj shtëpie, që sapo e kishte ngritur vetë. Në ato ambiente, megjithëse ishte mbledhur dhimbja, vuajtja dhe mjerimi i njerëzve të varfër e të braktisur, që lëngonin dhe kishin nevojë për çdo gjë, ndihej ngrohtësi, paqe, vëmendje e mbi të gjitha dashuri njerëzore. Me përkëdheljet si te një nëne me lehtësi përmendte emrat e secilit prej tyre. Ajo u shërbente dhe I siguronte banorët e asaj shtëpie se nuk ishin vetëm, në sytë e tyre shihje mirënjohje e falënderim. Çdo gjë në atë shtëpi ishte në shërbim të shpirtit njerëzor.
Tek na shoqëronte e kënaqur që më së fundi kish arritur të hap një shtëpi të tillë edhe në vendin e saj, për të cilët kujdesej me përkushtim, ndaluam pranë shtratit të një të paralizuare në gjendje terminale. Motrat po i mjekonin plagët dhe e përkëdhelnin si të ishte një fëmijë. Kisha ngulur vështrimin tek ai grusht kockash dhe e prekur dëgjoja përkëdheljet pa fund që motrat derdhnin mbi atë shtrat. Ndjeva dorën e Nënë Terezës tek më ktheu nga vetja dhe me buzëqeshje të lehtë në buzë më pyeti: “A do mund ta bëje dot ti këtë punë, nëse të kërkohet”. Pa pritur akoma përgjigjen time, ajo zgjati duart dhe tha: “Jo, jo nuk pres përgjigje se atë nuk mund të ma japësh menjëherë as sot e as nesër. Do shumë kohë për tu menduar, për tu përgatitur, këtu, në shpirt dhe më vuri dorën e saj mbi kraharor. Vetëm kur të ta thotë shpirti, i cili do kohë të përgatitet, atëherë ajo del edhe nga goja”. Edhe sot do ta kisha të vështirë të jepja një përgjigje nëse dikush më pyet. Ndonëse punën time si mjeke e kam kaluar pran komuniteteve më të varfra, komunitetit rom dhe egjiptian, ku çdo ditë përballesha me skena skamjeje të rënda, por ajo që Nënë Tereza bënte ishte e pakrahasueshme, e papërsëritshme, e përditshme dhe për gjithë jetën. Ikona e mëshirës dhe dashurisë njerëzore zgjodhi kurimin e dhimbjes me besimin e madh dhe vetsakrifikimin. Fjalë pak dhe e heshtur ajo personifikonte durimin, urtësinë dhe dashurin e një nëne, mëshironte të gjitha virtytet e nënave, e sidomos të nënave shqiptare, që përmes sakrificave të jashtëzakonshme rrezatojnë një madhështi dhe fuqi hyjnore.
E citoj shpesh një paragraf të gazetarit, Renato Farina, një nga biografët e Nënë Terezës. Në librin kushtuar asaj, ka shkruar: “Ajo grua e vogël me shumë rrudha, kishte krahët e një shqiponje të re, që ngrinte peshë shumë njerëz të lodhur e të pa shpresë”. Ndonëse për mua ishte vizita e pare në këto ambiente, qartazi lexohej testament i saj për njerëzimin, shembulli se çfarë duhet të bëjmë. Disa javë pas vizitës tonë në qendër, njoftohemi nga motrat e saj se Nënë Tereza kishte kërkuar të vinte për vizitë në shtëpinë tonë. Mbeta pa fjalë, pafundësisht e lumturuar nga vëmendja që po tregonte . Kjo vizitë më jepte bindjen e një mirësie apo një bekimi që po hynte në shtëpinë time. Për ta pritur kishin dal të gjithë fqinjët dhe Nënë Tereza bekonte me lutje fëmijët e tyre dhe jepte autografe. Në respekt të traditës në fund mbetëm ne të shtëpisë. Përpara saj plot emocion qëndronin dy fëmijët tanë Argita dhe Shkelzeni të cilët morën bekimin e saj si dhe nga një dedikim me shkrimin e bukur dhe foton. Biseda me fëmijët ishte e këndshme dhe me humor, ajo u soll rreth librave që lexojnë, shokëve dhe profesioneve që do zgjidhnin.
“Janë si lule e duhen ujitur që të rriten. Qofshi përherë bashkë”. Më pas, me ne diskutoi për situatën ekonomike të vendit. Gëzonte për ndryshimet që po ndodhnin, projektet që kishte për të hapur qendra të tjera në ndihmë të nevojtarëve. Biseda me mua u përqendrua tek pacientët e mi, tek problematikat e shumta të asaj zone të vështirë ku unë punoja tek problem I abortit ndaj të cilit ishte kategorikisht kundër, këtij akti vrastar siç e quante ajo. “Puna që të përball me vështirësitë është nga më të bukurat, ajo të bën të mendosh shumë, të vë përpara detyrash që duhen zgjidhur. Është e rëndësishme të kujdesesh për fëmijët e tyre, tu lehtësosh hallet dhe të ruash të vetmen dashuri që Zoti u ka falur me aq bujari. Ju mjekët keni një mision special dhe jeni të zgjedhur nga Zoti për ta kryer këtë mision”.
Në pozicionin tim si amvise shtëpie, kisha pasur në fokus mikun, respektin dhe dashurin për gruan që shpërndante bekim dhe mirësi, por kisha harruar për një moment se miku i veçantë i asaj dreke ishte gruaja që ishte betuar të sakrifikonte komoditetin e jetës për ti shërbyer të varfërve. Ajo njerëzisht kërkoj nga unë të mos ulej në tryezën e shtruar. Gëzimin që tregoj kur ushqimet, të gjitha i zbritëm në makinën e saj i shprehu: Ç’drekë të shijshme do të hanë sot nga duart e tua, banorët e asaj shtëpie. Sa falënderime dhe urime do të dhurojnë. Si grua, si nënë, si mjeke duhet ta kisha menduar më pare një gjë të tillë, por ky u bë një mësim I imi të cilin jam munduar ta kem gjithmonë parasysh. Varfëria dhe dhimbja lehtësohen duke e ndarë atë. Këtë mision me durim ajo e përhapi në mbarë botën. Për të gjithë ne data 25 Prill e vitit 1993 ishte ditë historike e mbushur me shumë emocione. Papa Gjon Pali II do zgjidhte Shqipërinë, si vendin e pare në Ballkan, për ta vizituar pas rënies së perdes së hekurt. Dukej sikur Zoti po i kthente sytë edhe nga ky vend i vogël dhe i varfër, që kish besuar heshturazi, ishte lutur e falur pa zë, fshehtas dhe me frikë, vendi ku shfarosja e klerikëve u bë pa mëshirë. Një nga rrethanat shpirtërore të ardhjes së Papës ishte vepra dhe autoriteti i Nënë Terezës. Atë ditë kemi qëndruar e pritur së bashku Papa Vojtilën. Emocionet dhe ngazëllimi rrezatonin portretin e saj. Ajo ishte e lumtur se do ti prezantonte sot Papës vendin dhe bashkatdhetarët e saj, nga të cilët ishte ndarë prej dekadash, do ti tregonte se kjo pritje e ngrohtë ishte shprehje e ringjalljes shpirtërore të popullit të saj.
Kur Papa Vojtila puthi token tone kam par lot gëzimi në sytë e Nënë Terezës. Po ringjallej toka e vuajtur dhe e nëpërkëmbur e saj. Në momentin e takimit ajo nuk harronte të më afronte pranë vetes për të më prezantuar vet me të. Rrugës për në Shkodër, ku do zhvillohej ceremonia, Nënë Terezës ju vu në dispozicion një helikopter, pasi ato kohë ajo kishte kaluar disa shqetësime kardiake, por nuk mundi askush të ja përmendte dy here atë propozim, që ju duk përkujdesje e tepërt. Modeste, ashtu e tërhequr, dinte të jepte mesazhe frymëzuese dhe plot kuptim. Edhe pse Papa e kërkoi dhe e ftoi të ishin bashkë në ballkonin e Kryeipeshkvisë, ajo e tërhequr preferoi ta dëgjonte fjalimin mes popullit, për të mos qenë ajo në vëmendje, pasi ajo ishte dita e Papës. Ndoshta pjesa më e veçantë e fjalimit të atit të shenjtë, ishte fjala drejtuar Nënë Terezës. “ Nuk mund të harroj të përshëndes një person shumë të thjeshtë që ndodhet mes nesh, Nënë Terezën e Kalkutës. Të gjithë e dimë nga është dhe cila është vendlindja e saj. Vendlindja e saj është këtu. Kur Shqipëria ishte krejt e izoluar, kjo besimtare e përvuajtur, kjo shërbyese e vlefshme e të varfërve, e solli emrin e vendit tuaj në të gjithë botën. Shqipëria është krenuar gjithmonë me Nënë Terezën. Sot në emër të gjithë Kishës, të falënderoj ty motër, të falënderoj ty Shqipëri e dashur, për këtë bijë të tokës tënde e të popullit tuaj”. Moment tjetër i pa harruar i takimit me Nënë Terezën ka qenë qershori i vitit 1995, kur ajo u nis nga Kalkuta e largët për të ardhur direkt nga aeroporti në Presidencë. Qëllimi i kësaj vizite surprizë ishte të uronte Shqipërinë për arritjen e rëndësishme historike, anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës. Pas urimeve, intervistave dhe fotos që bëmë së bashku më tha: “Jemi në rrugë të drejtë. Zoti po i dëgjon lutjet e mia për vendin tim, por rruga është e gjatë dhe e vështirë.
Kjo grua shtat vogël por me fuqi qiellore, që dinte të shëronte dhimbjet e plagëve shpirtërore, gëzonte respektin e mbarë botës, ajo u kthye në mit, duke qenë përherë më afër nesh, mbeti një histori e thjeshtë, por e pa përsëritshme. Në çdo takim me Nënë Terezën doja ti tregoja se kisha njohur nënën Drane dhe motrën Age, se e njihja historinë e familjes dhe largimin e saj për shkollim, t’i tregoja se isha ndjerë krenare tek shihja dhe dëgjoja fshehurazi pohimin se kishte gjak shqiptari e se ishte shqiptarja e pare që nderonte vendin me çmimin Nobel, por nuk di sepse më mungonte kurajo ta nisja këtë bisedë, pa i treguar për një pendim, pa i kërkuar një falje për atë qëndrim të mbajtur ndaj saj. Bisedën ja nisa tek po bisedonim në një nga dhomat e grave të qendrës. – Kam njohur shumë vite më pare nënën Drane dhe motrën Age. Ishin të dashura dhe punonin shumë bukur punën e dorës… Ajo e heshtur dukej sikur më thoshte… “më trego, vazhdo”. I tregova se kanë jetuar mes njerëzve të mire, të dashur dhe që i kanë respektuar. I thash se ndjehesha me fat që edhe pse kaq vonë e takova nga afër, ndër kohë që pashë se sytë e saj u njomën. U kthye nga unë me sytë që akoma shkëlqenin nga lotët dhe me një shqipe ku mbizotëronte dialekti verior, me dhimbje më tha: “Kam vuejt shume nga malli për to, por e di se ato kanë vuejt ma shume për mue. Dhimta e shpirtit asht nga ma të randat. E tash të dyja janë në paqe”.
Na takonte ne bashkatdhetarëve, të korrigjonim atë kohë që na vinte në vështirësi jo vetëm përpara botës, por dhe vetes, përpara fëmijëve tanë. E kishim për detyrë të tregonim se ky vend që kishte lënë në harresë një personalitet të njohur dhe të dashur si NT, di edhe ta nderoj bijën e saj. Emri dhe vepra e shpërndarë në të gjithë botën meritonte piedestalet e mohuara. Ndjeja krenari kur dilja jashtë vendit dhe shihja se si ky personalitet ishte kthyer në frymëzim të fuqishëm dhe të gjithë donin ta bënin pjesë të historisë së tyre. Isha dhe jam pjesë e saj. Duhej të bëja diçka për të. Them për të por në fakt për vete, për fëmijët tanë. Ideja për të ngritur një fondacion me emrin e saj gjeti përkrahje dhe mbështetje të gjerë. E emërtuam Fondacioni Kulturor Nënë Tereza dhe do ti shërbente kujtimit të figurës së saj, promovimit të shembullit të veprës brenda dhe jashtë vendit, mbrojtjes së vlerave njerëzore dhe paqes, që janë trashëgimi e përbashkët universale. Objektivat e Fondacionit ishin të shumta, njëra ndër to ishte ngritja e një ekspozite lëvizëse hapja e së cilës u mirëprit në shumë vende të botës si në Uashington, New York City, Londër, Milano, Budapest, Tallin, etj. Në jetën time ka pasur një ndikim dhe rrol të madh jeta, shembulli, sakrificat e Nënë Terezës. Sa herë ndeshemi me vështirësi ne lutemi dhe kërkojmë të kapemi diku. Jo rrallë jam lënduar nga dhimbja gjatë ushtrimit të profesionit tim si pediatre, në lagjen e varfër, ku punoja. Jam ndjerë e pa fuqishme përpara dhimbjes që më kanë shkaktuar lotët e prindërve të thyer nga autizmi, apo kur trupi i fëmijëve talasemikë ftohej dhe bëhej i pafuqishëm nga mungesa e gjakut, kur jeta e varur në fije të perit priste shpëtim nga bujaria dhe dashuria e shpirtit njerëzor. Por kur mendoja se si kjo grua e brishtë me këtë zemër të madhe, të pasur dhe të forte dinte të qetësonte dhimbjet e të zgjidhte problemet e vështira atje ku mungonte mjekësia, ku mungonte familja, ku mungonte kisha e çdo gjë, nuk mund të mos kthehej në frymëzim e forcë. Ajo ka ditur të na tregojë se varfëria e njerëzve shuhet me pasurinë e madhe të shpirtit.
Telegrafi: Ju jeni edhe presidente e Fondacionit ‘Fëmijët Shqiptarë’ – organizim në ndihmë të fëmijëve autikë. A mund të na flisni pak mbi aktivitetet dhe punët që zhvilloni në këtë fondacion dhe a është e frymëzuar nga filantropia e Nënë Terezës puna juaj në këtë fondacion?
Liri Berisha: Vitet e pensionit me sinqeritet them se ishin vitet më të veçanta, më të bukura e më aktive, pasi pikërisht në moshën kur mendon se kontributit tënd në profesion i zë vendin pensioni, unë fillova të merresha me dy fondacione, Fondacionin Fëmijët Shqiptar dhe Fondacionin Kulturor Nënë Tereza. Kam punuar dhe punoj në mënyrë vullnetare me të gjithë bordin që drejton këto dy fondacione. Preokupimet si Autizmi, Talasemia, problemet e vështira të fëmijëve jetimë, arsimimi dhe kujdesi për shtresat e pambrojtura e gjallëruan mrekullisht këtë pjesë të jetës sime. Mësova përsëri jo vetëm në rrafshin profesional. Kuptova se çdo ditë të jetës, pra edhe pasi ke dalë në pension, njeriu vërtet mëson, mëson pa rreshtur, guxon e përpiqet por tashmë me përvojën e viteve që të ndihmojnë të bësh gjëra të reja, të jesh praktik në zgjidhjen e tyre, të ndreqësh gabime, të ndihmosh, tolerosh, të ecësh përpara për gjëra të reja pavarësisht viteve. Sot kam shumë e shumë arsye t’u shpreh mirënjohjen time tërë atyre bashkëpunëtorëve që më bënë pjesë të kësaj të përpjekjeve për Autizmin, kësaj kauze, të cilën nuk e kisha menduar ndonjëherë se do ma kthente moshën e pensionit si pjesën më aktive më të rëndësishme dhe më krijuese të jetës time profesionale.
Çdo gjë e re që nis së bashku me dëshirën, ka në fillimet e veta frikën, stresin dhe vështirësitë me të cilat përballesh orë e çast. Por me bindje them se përpjekjet e bëra bashkë me ekipin e specialistëve për t’iu kundërvënë me sukses autizmit, aq sa kanë qenë të vështira, po aq kanë qenë edhe mbresëlënëse sepse vërtet ia kane vlejtur. Njerëzit me të cilët më bashkoi puna e këtyre viteve ishin për mua një fat për punët që bëmë bashkë. Të pa kursyer, ngulmues, të përkushtuar, plot ide të çmuara, kam pasur privilegjin jo vetëm të punoj por dhe të mësoj prej tyre. Puna që bëmë bashkë pasuroi çdo ditë të jetës time që mezi prisja ta filloja Sukseset e asaj pune i dhanë kuptim tjetër çdo dite që me aq vrull fillonte. Një fenomen si autizmi po aq sa të trishton e rrëzon, po aq të jep shpresë dhe kurajo kur zbërthehet në rezultatet e shumëpritura pozitive të punës. Përkushtimi ndaj Autizmit ishte një eksperiencë e vyer për mua, pasi më njohu me profesionistë të çmuar brenda dhe jashtë vendit që në mënyrë emocionuese e mahnitëse ndihmuan në ndryshimin e situatës së këtij fenomeni pothuajse të panjohur në vendin tonë, ndihmuan në shtrimin e një rruge mbi themelet e një të ardhmeje të pa varur e mbi të gjitha të qetë për këta fëmijë. Sot e them me sinqeritet dhe jo pa krenari se çfarëdo dhe sado të kem dhënë në mirëqenien dhe integrimin e fëmijëve që fondacioni ka mbështetur, nuk është asgjë përballë emocioneve të forta të dashurisë që ata na kanë dhuruar dhe mirënjohjes së pamat që familjet e tyre na kanë përcjell. Të kontribuosh në jetët e fëmijëve me probleme shëndetësore, ke kontribuar në paqen shpirtërore të sa e sa vatrave familjare.
Liri Berisha, presidente e Fondacionit ‘Fëmijët Shqiptarë’ (Foto: Fondacioni Fëmijët Shqiptarë)
Telegrafi: Si një grua familjare, na trego pak si është një ditë e zakonshme nga jeta juaj. Nga çfarë frymëzoheni dhe çfarë ju pëlqen të bëni në kohën e lirë?
Liri Berisha: Ditët e mia i bëjnë aktive dhe shumë të bukura gjashtë nipërit dhe mbesat. Koha për ta është e veçantë dhe nuk mund të cenohet. Fundjavat janë pjesa e pushimit e cila kalohet me fëmijët dhe familjet e tyre. Më pëlqen muzika dhe shëtitjet në natyrë, që shpesh bëhen nën shoqërinë e miqve tanë.
Telegrafi: Znj. Liri, ju falënderojmë shumë për intervistën. Për fund, cili do të ishte mesazhi yt për lexuesit e kësaj interviste – apo mbase citati juaj i parapëlqyer e shenjtores Nënë Tereza për ta përmbyllur këtë bisedë?
Liri Berisha: Edhe një here ju falënderoj që më krijuat hapësirë të shprehem në portalin tuaj për një personalitet si Nënë Tereza, ikona më përfaqësuese e kombit tonë. Sot kjo shenjtore i përket gjithë botës, gjithë brezave dhe gjithë kohërave. Vepra e saj duhet të shërbej si një busull nga duhet të drejtojmë sytë – sidomos brezi i ri. Të gjithë le të bëjmë pak nga ajo që bënte Nënë Tereza, pasi zbusim dhimbjen dhe bashkë me dhimbjen zbusim edhe zemrat tona. Citatet e Nënë Terezës janë përherë aktuale dhe domethënëse:
- Mos mallko errësirën, por ndiz një qiri.
2. Mos bëni mrekulli me vrazhdësi, më mirë bëni gabime me mirësjellje. /Telegrafi/