Nëna padit kompanitë e rrjeteve sociale për vetëvrasjen e vajzës

schedule02:54 - 22 Janar, 2022

schedule 02:54 - 22 Janar, 2022

Një grua nga Konektikat ka paditur kompaninë mëmë të Instagramit Meta dhe Snap Inc, duke pretenduar se varësia nga platformat e tyre të mediave sociale shkaktoi vetëvrasjen e vajzës së saj të vogël. Vajza e saj Selena Rodriguez që ishte 11 vjeç kreu vetëvrasje vitin e kaluar. Padia pretendon se vdekja e saj ishte shkaktuar nga tiparet potencialisht të rrezikshme të platformave.

Në një deklaratë të Qendrës Juridike për Viktimat e Mediave Sociale, e cila ngriti padinë në Kaliforni në emër të nënës së Selenës shkruhej se vajza e re vuante nga një varësi “ekstreme” ndaj Instagram dhe Snapchat. Zonja Rodriguez konfiskoi pajisjet e vajzës së saj në shumë raste për ta larguar atë nga mediat sociale, sipas Qendrës Juridike për Viktimat e Mediave Sociale. “Në shumë raste, Selena mori trajtim të shëndetit mendor për varësinë e saj”, shkruhej në deklaratë.

Para vetëvrasjes së saj më 21 korrik 2021, Selena dyshohet se kishte vuajtur nga privimi i gjumit dhe depresioni për muaj të tërë, veçanërisht pasi filloi pandemia Covid-19 dhe ajo kaloi më shumë kohë në mediat sociale. Padia, e cila u ngrit në një gjykatë federale në Kaliforni të premten, pretendon se të dy gjigantët e mediave sociale “me vetëdije dhe qëllim” projektuan dhe tregtonin produkte që ishin të dëmshme për një numër “të konsiderueshëm” të përdoruesve të tyre të mitur. Në një deklaratë dërguar “BBC-së”, një zëdhënës i Snap tha se kompania ishte “shkatërruar” kur dëgjoi për vdekjen e Selenës, megjithëse nuk pranoi të komentonte në mënyrë specifike mbi padinë. Meta kompania mëmë e rrjetit social Facebook nuk i’u përgjigj menjëherë një kërkese për koment nga “BBC”.

Padia vjen pasi ligjvënësit amerikanë dhe publiku janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar për ndikimin e mediave sociale tek të rinjtë. Në nëntor, ish-menaxherja e produkteve të Facebook Frances Haugen u tha ligjvënësve se kompania po dëmtonte fëmijët, por pretendoi se “nuk do të bëjë ndryshimet e nevojshme sepse ata kanë vënë fitimet e tyre astronomike përpara njerëzve”. Më pas, drejtuesi i Meta Mark Zuckerberg shkruante në një letër dërguar stafit të kompanisë që e publikoi në faqen e tij në Facebook se kompania kujdeset “thellësisht për çështje si siguria, mirëqenia dhe shëndeti mendor”.  / abcnews.al