Ministrat e çështjeve europiane të Bashkimit Europian nuk kanë mundur të zhbllokojnë pengesën lidhur me aprovimin e kuadrit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Gazetarja Erisa Zykaj raporton se ministri bullgar i Çështjeve Europiane nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij lidhur me kërkesën e përfshirjes në kuadrin negociues së Maqedonisë së Veriut të një udhërrëfyes mbi zgjidhjen e çështjeve që lidhen me historinë dhe gjuhën në midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në konferencën përmbyllëse të takimit, ministri gjerman për çështjet europiane në nivelin federal, Michael Roth është shprehur: “Duam që të organizojmë konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë kur të përmbushen kushtet dhe me Maqedoninë e Veriut gjatë presidencës sonë. Fatkeqësisht, ne nuk mund të gjenim kompromis sot lidhur me çështjen bilaterale midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Momentalisht duket se nuk ka zgjidhje.Duhet bërë dallimi midis çështjeve bilaterale dhe çështjeve që janë shumë të rëndësishme për Europën Qendrore. Por shpresojmë, që të mund të gjejmë zgjidhje, duke qenë se kemi mbështetjen e shumë kolegëve”.
LEXO EDHE: Grupi i liberalëve në PE thirrje Bullgarisë: Mos blloko negociatat e Maqedonisë së Veriut
Kujtojmë se në prag të vendimit për të filluar negociatat midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, Bullgaria u dërgoi një memorandum shpjegues vendeve anëtare të BE në 16 Shtator, i përbërë nga gjashtë faqe me shpjegime të gjata historike të “ideologjisë shtetërore anti-Bullgare” në Maqedoninë e Veriut. /abcnews.al