Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duan dhe nuk do të përdorin forcën për të marrë Groenlandën, ishullin e vetëqeverisur danez që Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar jetik për sigurinë e tyre kombëtare. Ky ishte mesazhi që dha Presidenti Amerikan Donald Trump përgjatë fjalimit të tij në Forumin e Davosit në Zvicër, teksa sulmoi vendet e Bashkimit Europian duke thënë se Unioni 27 anëtarësh nuk po shkon në drejtimin e duhur me emigracionin që kanë shkatërruar Perëndimin.
“Groenlanda është një territor i gjerë, pothuajse tërësisht i pabanuar dhe i pazhvilluar, i pambrojtur në një vendndodhje kyçe strategjike midis Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës. Ka vetëm një fakt të qartë, asnjë komb apo grup kombesh nuk është në gjendje të sigurojë Groenlandën përveç Shteteve të Bashkuara. Kjo është arsyeja pse po kërkoj negociata të menjëhershme për të diskutuar përsëri blerjen e Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara, ashtu siç kemi fituar shumë territore të tjera gjatë historisë sonë, siç kanë bërë shumë nga kombet evropiane. Ndoshta nuk do të arrijmë asgjë nëse nuk vendos të përdor forcën për marrjen e këtij territori, sinqerisht do të ishim të pandalshëm, por unë nuk do ta bëj diçka të tillë”, tha Trump.
Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërtojnë në Groenlandë sistemin më të madh të mbrojtjes ajrore, një version të Iron Dome, ndërsa arsyetoi marrjen e këtij territori nga Shtetet e Bashkuara si shpërblim për gjithçka që Uashingtoni ka bërë për NATO-n, veçanërisht me administratën e tij.
“Ne japim kaq shumë dhe marrim kaq pak në këmbim, dhe unë kam qenë kritik i NATO-s për shumë vite, megjithatë kam bërë më shumë për të ndihmuar NATO-n sesa çdo president tjetër deri më tani. Nuk do ta kishit NATO-n nëse unë nuk do të përfshihesha në mandatin tim të parë. Trashëgova një luftë, një katastrofë, po flas për Ukrainën. Jemi mijëra kilometra larg, të ndarë nga një oqean gjigant dhe kjo është një luftë që nuk duhej të kishte filluar kurrë dhe nuk do të kishte filluar nëse zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të vitit 2020 nuk do të ishin manipuluar”, shtoi Trump.
Presidenti Amerikan Donald Trump deklaroi në fjalimin e tij se Shtetet e Bashkuara po punojnë si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën për t’i dhënë fund edhe luftës në Ukrainë, në atë që është kthyer në konfliktin më të ashpër në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore.


