Brukseli vendosi që të mos hapte negociatat me Shqipërinë për shkak të vetos bullgare, që bllokoi Maqedoninë e Veriut dhe për këtë arsye e pësoi edhe Tirana, pasi vendet e BE-së vendosën që të mos ketë ndarje mes dy vendeve për të avancuar në procesin e integrimit.
Kryenegociatori i Shqipërisë për negociatat me BE-në, Zef Mazi i ftuar në studion e “Log.” u shpreh se kushtet u plotësuan dhe vendet e BE-së e pranuan, por data për konferencën e parë ndërqeveritare u shty për shkak të konfliktit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë.
“Për Shqipërinë për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare nuk ka asnjë kundërshtim më. Janë elementë më kompleks sesa marrëdhëniet Shqipëri-union. Ne kemi dy shtete, që kanë një konflikt mes tyre dhe mendohet që kjo mos marrëveshje duhet të zgjidhet sa më parë” tha ai.
Përse nuk ndahemi nga Maqedonia e Veriut? “Në historikun e futjes së shteteve kandidate, janë dy raste që kanë hyrë individualisht Greqia dhe Kroacia, të tjerat në grup. Karakteri rajonal i futjes në union ka rëndësi. Procesi i zgjerimit nuk duhet as penguar dhe ngadalësuar, Bullgaria mendon se ka diçka që duhet ta zgjidhin, kjo është një çështje dypalëshe” tha Mazi.
Por a u plotësuan kushtet që unioni kishte vendosur për Shqipërinë? “Janë plotësuar të gjitha. Nuk janë 15 kushte, 15 kërkesa nga të cilat 4 janë kushte. Ka dy faza plotësimi, i elementëve që i kam ndjekur personalisht cdo muaj në Bruksel te vendet anëtare të unionit. Në një periudhë të korrikut që vitit që shkoi dhe marsit të këtij viti janë bërë 10 përditësime të plotësimit të kërkesave”.
Mazi zbuloi edhe disa nga prapaskenat gjatë lobimit në vendet e BE-së. “Kam qenë në 19 shtete në unionit, 3 herë në Bruksel, që është qeveria e këshillit. Janë bërë 22 vizita intensive në vendet e unionit, prezantuam çfarë është bërë dhe çfarë po bëhet që të hapet konferenca e parë, se po plotësohen ose janë plotësuar kërkesat.
Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat. Një shtet anëtar bëri një kërkesë, që Komisioni të bëjë një “non paper” të detajuar si ishin plotësuar kushtet. Në 12 maj kjo përgjigje u shpërnda. U analiza në shifra si u plotësuan kërkesat.
Në mbledhjen e parë që u bë, në mënyrë absolute të gjitha shtetet folën pozitivisht dhe ky shtet, Holanda që bëri kërkesën e paraqiti si qëndrim në parlamentin dhe tha “PO” Shqipëria ka plotësuar kërkesat për negociatat. Kemi raportuar ne, delegacioni dhe ambasadat në Shqipëri” deklaroi Mazi./ d.b/Abcnews.al