NEGOCIATAT/ Eurodeputetët kritika të ashpra: Aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në BE janë dëmtuar

schedule18:29 - 22 Qershor, 2020

schedule 18:29 - 22 Qershor, 2020

Raporteri për Shqipërinë në PE, David Lega si dhe eurodeputeti Michael Gahler kanë pasur kritika ndaj qeverisë në seancën e posaçme për Shqipërinë në Parlamentin Europian.

Lega ka theksuar se qeveria është shumë e ashpër me gazetarët dhe shumë e butë me trafikantët. Sic raporton gazetarja Erisa Zykaj për abcnews.al, Lega është shprehur se paketa anti-shpifje është një turp dhe dhunon qartësisht parimet e shtetit ligjor dhe të drejtat e njeriut.

“Paketa antishpifje është një turp. Është anti-kushtetuese, joligjore dhe dhe dhunon qartësisht të gjitha parimet e shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut. Nëse kjo aprovohet, do të dëmtojë seriozisht lirinë e të shprehurit dhe lirinë e shtypit dhe kjo do të dëmtojë aspiratat e vendit për anëtarësim në BE. Fatmirësisht, paketa është kundërshtuar nga presidenti Ilir Meta dhe aktualisht është në pritje.

Një tjetër shqetësim është që kanabisi nga Shqipëria vazhdon të mbushë Europën. Sipas Europolit, mbjellja e kanabisit pritet të rritet, duke qenë se autoritetet e ligjformuese janë të përqendruara te përputhja me masat e pandemisë COVID-19.

Kjo nuk mund të vazhdojë. Lufta kundër kanabisit është një parakusht për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe duhet të mbetet një prioritet. Lidershipi shqiptar tregohet i rrepte me gazetarët dhe i butë me trafikantët, ndërkohe që duhet të jetë e anasjelltë.

Shqipëria duhet te bëjë gjithçka që të mbrojë lirinë e shtypit dhe të luftojë rrjetet e krimit të organizuar”, u shpreh eurodeputeti Lega.

Pa ndryshuar ky raport sipas tij, s’ka çelje negociatash.

Ndërkohë Gahler thotë se nuk ka asnjë informacion se çfarë po bëhet me dosjet e shit- blerjes së votave, 184 dhe 339 të bandave të Durrësit ku i përfshirë ka qenë dhe ish- kryebashkiaku Vangjush Dako.

Michael Gahler nder te tjera tha:

“Në 25 mars Kêshilli i ministrave ka listuar 15 kushte për t’u plotêsuar nga Shqipêria. Ne si Parlament e bëjmë shumê tê qartë që jemi shumê serioz për përmbushjen e këtyre kritereve dhe ato duhet të përmbushen”.

Seanca e cila po zhvillohet në PE, është për Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Europian dhe po diskutohet situata në Shqipëri.

Kjo seancë u thirr nga David McAllister teksa Lega dhe Gahlet kanë thënë se pa u hetuar dhe luftuar krimi dhe korrupsioni që janë 2 kushte të Shqipërisë për negociatat, atëherë Shqipëria s’ka për t’i hapur ato nëse nuk i përmbush kushtet para Konferencës së Parë Ndërqeveritare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!