Negociatat e anëtarësimit, Katrougalos: Nëse Shqipëria është gati, pse jo!

schedule21:25 - 16 Maj, 2019

schedule 21:25 - 16 Maj, 2019

Greqia nuk do të bëhet pengesë për hapjen e negociatave të anëtarësimit mes BE-së dhe Shqipërisë. Deklarata është bërë nga ministri i Jashtëm helen, Georgios Katrugalos, i cili ka nënvizuar se, nëse Shqipëria do të jetë gati, dyert do të jenë të hapura.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgios Katrugalos i ka bërë thirrje BE-së që të çojë përpara procesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit për vendet e Ballkanit. Në një intervistë për gazetën “Politiko”, Katrugalos është shprehur se shanset duhet t’i jepen edhe Shqipërisë e jo vetëm Maqedonisë së Veriut, vend që sipas tij i ka përmbushur të gjitha detyrimet. “Nëse Shqipëria është gati, atëherë edhe ajo duhet të jetë në bord, por për Maqedoninë e Veriut nuk ka më asnjë dyshim”, ka deklaruar Katrugalos. Rekomandimi i BE-së për nisjen e negociatave të anëtarësimit do të jepet në qershor dhe dilemat nëse ai do të jetë pozitiv vazhdojnë të qarkullojnë për faktin se disa vende, si Holanda dhe Franca, janë kundër zgjerimit. Por për Katrugalos, mungesa e një sinjali pozitiv nga Brukseli do të ishte një dështim i Bashkimit Europian për evropianizimin e rajonit të Ballkanit. “Nëse BE nuk jep një mesazh pozitiv në qershor, atëherë do të kemi të bëjmë me një dështim tërësor të strategjisë së tij për të imponuar parimet europiane në Ballkan dhe për të krijuar një atmosferë shprese tek vendet kandidate”, ka vijuar Katrugalos. Shefi i diplomacisë greke ka shtuar më tej se, Unioni duhet të rihapë dyert e anëtarësimit edhe për Turqinë, një proces që u konsiderua i mbyllur pas ofensivës që presidenti Erdogan ndërmori pas grushtit të dështuar të shtetit për rrëzimin e tij. /ABC news Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!