Një 53-vjeçar është arrestuar nga policia Milot për kultivim të lëndëve narkotike. Në pranga është A. H., 53 vjeç, banues në Laskaj, Fushë Milot.
Sipas policisë, në tokën në pronësi të këtij të fundit, ndërmjet agrumeve dhe vreshtit janë gjetur të kultivuar 440 fidanë të dyshuar cannabis sativa.
Njoftimi i plotë i policisë:
Vijojnë kontrollet intensive të territorit dhe bashkëpunimi me qytetarët, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, vihet në pranga 1 shtetas.
Shërbimet e Policisë Kurbin, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin e kultivimit të kanabisit, kanë vijuar me kontrolle në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët, ish-reparte ushtarake dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion policor se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike.
Si rezultat i kontrolleve, falë dhe informacioneve të qytetarëve, në vendin e quajtur Laskaj, Fushë Milot, Kurbin, në tokën në pronësi të shtetasit A. H., 53 vjeç, ndërmjet agrumeve dhe vreshtit janë gjetur të kultivuar 440 fidanë të dyshuar cannabis sativa.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 53 vjeç, banues në Laskaj, Fushë Milot.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë falënderon qytetarët për sensibilitetin dhe besimin e treguar së fundmi dhe i garanton ata se strukturat e DVP Lezhë janë tërësisht të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në tërësi, për të krijuar një ambient sa më të sigurt për qytetarët.
/abcnews.al