Në të njëjtën ditë me Gledis Nanon, shkarkohet edhe Ardi Veliu

schedule10:10 - 31 Gusht, 2022

schedule 10:10 - 31 Gusht, 2022

Zëvendësministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Ardi Veliu është liruar nga detyra. Po ashtu është liruar nga detyra edhe zv/ministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici.

Lajmin e ka bërë të ditur zv/kryeministrja Belinda Balluku pas mbledhjes së qeverisë.

“Sot janë marrë dy vendime. Lirimi nga detyra i zv/ministrrit të Energjisë, zotit Ardi Veliu dhe lirimi nga detyra i zv/ministres së Mbrojtjes, zonjës Dallëndyshe Bici. Do ketë për ta detyra të rëndësishme në ditët në vazhdim, që i bazojmë në eksperiencën të cilën kanë dhe në pozicione kyçe që janë të rëndësishme për mbarëvajtjen e punëve në Republikën e Shqipërisë”, tha Balluku.

Lirimi nga detyra i Ardi Veliut vjen në të njëjtën ditë me shkarkimin e pasardhësit të tij në krye të Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Ky i fundi u shkarkua nga detyra, pasi sipas ministrit të Brendshëm, nuk kishte përmbushur objektivat.

“Lidhet me mos përmbushje të objektivave në lidhje me drejtorin e përgjithshëm të policisë, me situatën e krijuar në muajt e fundit, situatë që kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të policisë së shtetit. Për momentin detyrat do i nënshtrojë drejtori i Policisë. Puna do jetë e gjithanshme, ngjarjet e ndodhur kanë qenë arsyeja se policia kërkon një reagim dhe një menaxhim më efikas”, tha ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!