Në Slloveni mbahet samiti i Procesit Bërdo-Brioni, i pranishëm edhe Presidenti Begaj

schedule10:21 - 12 Shtator, 2022

schedule 10:21 - 12 Shtator, 2022

Në Bërdo të Sllovenisë mbahet të hënën samiti i Procesit Bërdo-Brioni, ku do të diskutohet për situatën në Ballkanin Perëndimor.

Përveç nikoqirit të takimit, presidentit slloven, Borut Pahor, është paralajmëruar se do të marrin pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i Shqipërisë, Bajram Begaj, i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiq.

Kabineti i Pahorit ka njoftuar më herët se samiti i Procesit Bërdo-Brioni, do të jetë një mundësi për të rishikuar situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe për t’iu bërë thirrje anëtarëve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian që të përshpejtojnë procesin e zgjerimit.

Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Pahor, atëbotë kryeministër i Sllovenisë.

Qëllimi i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!