Në Siri, vala më e keqe e dhunës që nga viti 2020

schedule12:27 - 16 Mars, 2024

schedule 12:27 - 16 Mars, 2024

Komisioni i pavarur ndërkombëtar hetimor i Kombeve të Bashkuara për Sirinë njoftoi këtë të shtunë se që nga tetori, dhuna në atë vend ka qenë në rritje, më e keqja që nga viti 2020 në luftën civile që filloi 14 vjet më parë.

Për vite të tëra, lufta civile ka qenë kryesisht e ngrirë në Siri, e cila efektivisht është e ndarë në zona të kontrolluara nga qeveria zyrtare e presidentit Bashar al-Assad në Damask dhe grupe të ndryshme të armatosura të opozitës dhe forcat kurde siriane.

Rritja e fundit e dhunës filloi në tetor kur një sulm me dron në Akademinë Ushtarake në qytetin e Homsit vrau dhjetëra njerëz.

Raporti i komisionit të OKB-së tha se forcat siriane, së bashku me aleatët e tyre rusë, më pas bombarduan Sirinë veriperëndimore të kontrolluar nga rebelët, duke goditur “disa spitale, shkolla, tregje dhe kampe për personat e zhvendosur brenda vendit”.

Në javët e fundit, zonat e kontrolluara nga opozita kanë qenë në trazira, me protesta që shpërthyen në Idlib kundër grupit Hayat Tahrir al-Sham të lidhur me Al-Kaedën, i cili qeveris zonën.

Zëvendës koordinatori rajonal humanitar i Kombeve të Bashkuara për krizën në Siri, David Carden, tha gjatë një vizite të fundit në veriperëndim të atij vendi se plani humanitar i OKB-së për vitin 2023, i cili kërkonte më shumë se pesë miliardë dollarë, mori vetëm 38 për qind e fondeve të kërkuara, që është më e pakta që nga fillimi i krizës.

Ka 4.2 milionë njerëz në veriperëndim të Sirisë që kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare, duke përfshirë dy milionë fëmijë, prej të cilëve edhe një milion nuk shkojnë në shkollë”, shtoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!