Shkolla dhe tregu i punës në Shqipëri nuk janë mirë të integruara me njëra-tjetrën, por studimet tregojnë se në çdo vit shkollë shpërblehet me më shumë të ardhura.
Një studim i ekspertëve të Bankës së Shqipërisë ka gjetur se çdo vit shtesë në arsim formal shoqërohet me një rritje mesatare prej 8.2% të ardhurave te punësuarit nga paga..
Çdo vit shtesë në përvojën e tregut të punës shoqërohet me një rritje mesatare prej 1.7% të të ardhurave nga paga sipas analizës që përfshin periudhën 2002-2012.
Ndërsa çdo orë pune në javë shtesë shoqërohet me një rritje mesatare prej 1.1% të të ardhurave.
Eksperti Orion Garo, nga Departamenti i Kërkimeve, Banka e Shqipërisë që kreu studimin referon se gjatë periudhës në analizë përvetësimi i një diplome të arsimit fillor shoqërohet me një rritje mesatare të nivelit të pagës mujore prej 14.3%.
Përvetësimi i një diplome të arsimit të mesëm shoqërohet me një rritje mesatare të nivelit të pagës mujore prej 46.8% dhe përvetësimi i një diplome universitare shoqërohet me një rritje mesatare të nivelit të pagës mujore prej 140.4%.
Paraqitur në mënyrë alternative, një i punësuar me arsim të mesëm siguroi të ardhura mujore 25% më të larta se një i punësuar me arsim fillor, ndërsa një i punësuar me arsim të lartë siguroi të ardhura mujore 49.3% më të larta se një i punësuar me arsim të mesëm.
Pagat e kategorive te të punësuarve pa arsim formal dhe me arsim fillor shfaqin trend rënës me largim nga mesatarja. Pagat e të punësuarve me arsim të mesëm kanë tendencë të qëndrojnë tek mesatarja. Pagat e të punësuarve me arsim të lartë paraqiten të stacionuara diku tek 55% mbi mesataren gjatë 2002-2012.
Primet e të punësuarve me arsim të mesëm, mbi pagat e të punësuarve me arsim fillor, në Evropë variojnë nga 8% në 78%.
Primi i pagës në Shqipëri prej 25%, që të punësuarit me arsim të mesëm e përfitojnë, mbi pagën mesatare të të punësuarve me arsim fillor bën pjesë në intervalin e Evropës./Monitor