Në Shqipëri “kërdia”, pse në disa shtete nuk ka rritje çmimesh

schedule09:46 - 21 Qershor, 2022

schedule 09:46 - 21 Qershor, 2022

The Economist

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Përballë zhurmës për rritjen e kostos së jetesës, politikëbërësit duan të venë në dukje se rritja e çmimeve është një fenomen global.

“Çdo vend në botë është prekur pak ose shumë nga inflacioni,” tha Presidenti Joe Biden më 10 qershor, pasi Amerika raportoi rritjen më të madhe të inflacionit që nga viti 1981 (çmimet e konsumit u rritën me 8.6% në maj, në krahasim me një vit më parë).

Është e vërtetë se kostoja e karburantit, plehrave, drithërave dhe mallrave të tjera u rrit kudo pasi Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt. Nga 42 ekonomitë e mëdha sipas The Economist, në tetë prej tyre inflacioni është ende nën 4%.

Gjashtë nga ata tetë vendet janë në Azinë Lindore ose Juglindore. Rajoni përfshin gjithashtu disa oaza më të vogla të stabilitetit të çmimeve, si Vietnami (ku inflacioni ishte 2.9% në vitin deri në maj) dhe Macau (1.1% në vitin deri në prill), raporton abcnews.al.

Por pse Lindja duket se është e përjashtuar nga inflacioni?

Një nga arsyet qëndron në përhapjen e dy sëmundjeve. Një shpërthim i murtajës të derrave nga viti 2018 deri në vitin 2021 shkatërroi popullsinë e derrave në Kinë, ku u shkatërruan deri në 200 milionë derra, sipas disa vlerësimeve.

Kjo rriti në mënyrë dramatike çmimin e mishit të derrit, një bazë ushqimore në Azinë Lindore. Çmimi më pas ka rënë ndjeshëm. Në territorin e Kinës, për shembull, çmimi i mishit të derrit ra me më shumë se 21% në vitin deri në maj.

Kjo ndihmoi në kompensimin e presioneve të inflacionit në disa vende të tjera. (Gjithashtu Azia Lindore, ndryshe nga vendet e tjera të botës, konsumon më shumë oriz sesa grurë). Çmimi i orizit është rritur me 8% që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, ndërsa çmimet e grurit janë rritur me 17%).

Sëmundja tjetër anti-inflacioniste në rajon është Covid-19. Shumë pjesë të Azisë u mësuan të jetonin me virusin më ngadalë sesa në Perëndim. Indonezia, për shembull, nuk e hoqi karantinën për mbërritjet ndërkombëtare deri më 22 mars.

Në Malajzi, udhëtimi dhe lëvizja nuk u kthyen në normalitet deri në fillim të majit, një muaj i plotë pasi vendi hyri zyrtarisht në fazën e tij të “kalimit në një fazë endemike”, sipas një indeksi të kufizimeve sociale nga Goldman Sachs, një bankë.

Tajvani  po tregohet i kujdesshëm edhe tani. Suksesi i tij në mbajtjen në kontroll të Covid-it në të kaluarën ka bërë që popullsia të krijojë me pak imunitet natyror. Kina, natyrisht, vazhdon të vendosë kufizime të rrepta në lëvizjen dhe grumbullimin e njerëzve kudo që ka shpërthime, raporton abcnews.al

Bllokimet e fundit në Shangai dhe gjetkë penguan aftësinë e ekonomisë për të furnizuar me mallra dhe gatishmërinë e konsumatorëve për t’i blerë ato. Kjo ndërprerje e dyfishtë e ofertës dhe kërkesës në teori mund të ndryshojë çmimet në çdo mënyrë. Por dëmi në shpenzimet konsumatore duket të jetë më i rëndë dhe më i vazhdueshëm.

Në maj, muaji i dytë i bllokimit të Shangait, shitjet me pakicë ranë me pothuajse 10% në krahasim me një vit më parë, edhe pse prodhimi industrial u rrit me 0.7%. Kufizimet në udhëtimet ndërkufitare kanë qenë shkatërruese për ekonomitë e Hong Kongut dhe veçanërisht të Makaos, e cila mbështetet te turistët.

Në të vërtetë, PBB-ja e Makaos në tre muajt e parë të këtij viti ishte më pak se gjysma që arriti në të njëjtët muaj të 2019. Në këtë kontekst, inflacioni prej 1% nuk ​​duket aq i mrekullueshëm. Në të vërtetë, është çudi që çmimet po rriten.

Në Perëndim, inflacioni i lartë ka detyruar shumë politikëbërës ekonomikë të  bëje plane të tjera. Rezerva Federale e Amerikës, për shembull, u ndje e detyruar të rriste normat e interesit me 0.75% më 15 qershor, më shpejt se sa ishte planifikuar.

Nxitimi i Fed për të luftuar inflacionin po e ndërlikon luftën e Azisë Lindore kundër të njëjtit armik. Normat më të larta të interesit në Amerikë po tërheqin flukset globale të kapitalit, duke ushtruar presion mbi monedhat e Azisë.

Hong Kongu u detyrua të rrisë normat e interesit një ditë pasi Fed e bëri këtë. Malajzia dhe Tajvani gjithashtu kanë rritur normat e interesit tashmë këtë vit dhe Indonezia, ku normat e interesit janë 3.5%, parashikohet t’i rrisë ato muajin e ardhshëm, sipas JPMorgan Chase, një bankë.

Malajzia dhe Indonezia kanë eksperimentuar ndryshe ndaj rritjes së çmimeve, duke ndaluar eksportet. Indonezia ndaloi eksportin e vajit të palmës dhe Malajzia reduktoi eksportin e pulave.

Qëllimi është të mbajë të gjithë furnizimin e vendit për njerëzit e tij. Por politikat mund të dështojnë nëse çmimet më të ulëta i shtyjnë fermerët vendas të shkurtojnë prodhimin, raporton abcnews.al.

Ndalime të tilla gjithashtu përkeqësojnë inflacionin gjetkë në rajon. Singapori, në veçanti, varet nga importet e shpendëve nga fqinji i tij më i madh. Një përjashtim nga ky trend i ashpër është Japonia. Në mbledhjen e saj më 17 qershor, Banka e Japonisë përsëriti angazhimin e saj për të blerë aq bono qeveritare dhjetëvjeçare sa të jetë e nevojshme për të mbajtur inflacionin në jo më shumë se 0.25%., ky vendim erdhi pavarësisht rritjes në Amerikë mbi 3.2%.

Ky hendek ka kontribuar në rënien e jenit, i cili ka rënë në nivelet më të dobëta kundrejt dollarit që nga viti 1998. Sigurisht kjo do të ndikojë në rritjen e çmimeve të importit, duke kontribuar në rritjen e inflacionit në Japoni, raporton abcnews.al.

Nëse inflacioni vazhdon, njerëzit do të kërkojnë paga më bujare si kompensim. Këto paga më të larta, nga ana tjetër, do të rrisin çmimet, duke i bërë pritshmëritë e inflacionit të vetëpërmbushura.

Në shumë zona të Azisë, një spirale e tillë pagë-çmim mbetet diçka për t’u frikësuar. Por në Japoni, është diçka që politikëbërësit e kanë kërkuar prej kohësh. Pas viteve të kërkesës së dobët dhe çmimeve në rënie, pritshmëritë për inflacionin ishin bërë jashtëzakonisht të ulëta, duke e bërë më të vështirë për Bankën e Japonisë që të ringjallte ekonominë në një rënie dhe të parandalonte kthimin në deflacion.

Si në çdo vend tjetër, Japonia po preket nga inflacioni dhe bankierët duhet të jenë plotësisht të angazhuar.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!