Zvicerani Dick Marty, që me raportin e tij të miratuar në Këshillin e Europës, gati 11 vjet më parë, u bë sebep për t’i çuar në Hagë zyrtarët më të lartë të shtetit të Kosovës, u shndërrua në kryelajm gjatë fundjavës që shkoi. Ai tha se është nën mbrojtje të policisë elite zvicerane për shkak se ka indikacione se duan ta vrasin shërbimet e Beogradit për t’ua lënë fajin kosovarëve. Por, rreth 4 vjet më parë, Milan St. Protic, ish ambasadori serb në Zvicër (2009-2014), thotë se ishte ai që e kishte për detyrë për ta “rekrutuar” Martyn, që të bënte një raport për “Shtëpinë e Verdhë” dhe “tregtinë me organe” duke u bazuar në dëshmitë e Prokurorisë për Krime Lufte të Serbisë.
Milan St. Protic është historian dhe diplomat me karrierë impresive. Sikur secili serb i përfshirë në politikë, ai ka një opinion për Kosovën. Protic është pak më realist, e thotë me gojën e tij se Serbia e ka humbur Kosovën dhe se çështja tani shtrohet vetëm se në çfarë kushte duhet ta njohë. Por, ai ka bërë edhe një propozim për një zgjidhje specifike ndërmjet Kosovës e Serbisë. Më shkëmbim të popullsisë, duke i çuar serbët në Preshevë, e shqiptarët e Luginës në Veri.
Ky pak a shumë është një letërnjoftim i historianit serb, i cili duke qenë pjesë e taborit politik, pas rënies së Slobodan Milosevic, kishte përfunduar ambasador i Jugosllavisë së mbetur, në SHBA. Ndërsa më vonë, ambasador i Serbisë në Zvicër.
Por, në shtetin helvet, Protic zbulon se ishte i ngarkuar me një detyrë. Në një intervistë në një televizion serb, në vitin 2018, ku kishte promovuar një libër “Vendi i Uiliam Tellit” për vitet e kaluara në Zvicër, diplomati serb kishte dhënë detaje se si kishte nisur ta zbatojë misionin e tij për ta takuar Dick Martyn.
Duke e përshkruar si person të “papërshtatshëm, të rëndë, dyshues, mosbesues, jomikpritës”, Protic ka thënë se i ka marrë kohë kontakti me zviceranin.
Më poshtë mund të lexoni detaje nga intervista e dhënë vite më parë ku Protic lë të kuptohet se raporti i Martyt ka dalë në dritë falë angazhimit të tij dhe shtetit serb.
“Ideja ime e parë, pas shkuarjes në Zvicër ishte takimi me të, sapo ishte emëruar raportues i KE’së. Nga prokuroria jonë speciale mësova dhe e verifikova se dëshmitë që i kemi ne për atë se çfarë ka ndodhur në veri të Shqipërisë, janë dëshmi të forta dhe të besueshme. Kam konsideruar se kjo është një arsye e fortë që aksioni im i parë në Zvicër të jetë biseda me Dick Martyn. Dhe atë e kam njohur para se t’i dorëzojë letrat kredenciale dhe kam vazhduar të punojë me të” kishte thënë thënë Protic.
Ai e kishte çuar përpara agjendën e tij, duke u përpjekur për ta vënë në kontakt Martyn me prokurorët serbë.
“Tetë vjet pas kësaj, raporti ka dalë në dhjetor të vitit 2010, mund të them se pjesa më e madhe e materialit të dëshmive, është materiali që e ka mbledhur Prokuroria jonë për krime lufte, material i jashtëzakonshëm, ndoshta më i miri që është grumbulluar ndonëhërë dhe detyra ime ka qenë që t’ia bëjë me dije këtë Martyt, t’i ndihmojë të kontaktojë me përfaqësuesit e prokurorisë tonë. Në fund ia kemi dalë dhe duke iu falënderuar përpjekjeve që njerëzit e asaj prokurorie kanë bërë asokohe, përfshirë policët hetues që e kanë bërë atë punë, Dick Marty, i cili, edhe vetë ka qenë Prokuror Shteti në Kantonin e Tiçinos, e ka pranuar këtë, dhe në bazë të kësaj bëri një raport vetë, ai ska pasur material serioz të dëshmive” ka thënë Protic.
Tutje historiani dhe diplomati serb ka dhënë edhe versionin e tij për sfondin e këtyre ngjarjeve, përfshirë edhe hetimet që ishin kryer në të kalauarën.
Ai ka folur për kontaktet që kishte pasur me prokuroren zvicerane dhe propozimin që i ka kishte bërë shtetit serb që Del Ponte të angazhohej nga shteti serb për t’i vazhduar hetimet.
“Gjithçka ka filluar me Carla Del Ponten e cila në librin e saj të memoareve, i ka përmendur këto hetime. Më 2004 ajo e ka dërguar hetuesin e saj kryesor në Kosovë, shefin e ekipit të forenzikës, që quhej Pablo Baraybar, peruan, një nga hetuesit kriminal më të vlerësuar në botë, në Veri të Shqipërisë. Kjo ka dalë jashtë kompetencave të saj sepse Tribunali i Hagës ka qenë vetëm për ish -Jugosllavi, e kjo është në Veri të Shqipërisë, por Baraybar megjithatë ka shkuar atje dhe e ka përgatitur një raport preliminar, i cili më vonë humbi diku, mezi e kemi gjetur, tani e kam publikuar në libër”.
Protic thotë se ka rekomanduar me ngulm që gjithçka rreth kësaj teme të mbetej në suaza të Këshilli të Europës.
“Përveç raportit ai (Baraybar) e kishte përgatitur edhe një skicë të asaj se çfarë kishte parë atje. Përfundimi i tij ishte se nuk ka dëshmi të mjaftueshme për vlerësim final, por ai ka rekomanduar hulumtime të mëtejme, por kjo s’ka ndodhur. Unë kam biseduar me Baraybar në Londër dhe me Del Ponten, i kam propozuar MPJ’së tonë që ata t’i angazhojmë përsëri që ata të udhëheqin këtë hetim nën ombrellën e KE’së që të mos dilet prej aty, që të mos shkohet në OKB sepse atje me siguri se do të fundosemi sepse gjithmonë atje ka mundësi për bllokadë ku janë Fuqitë e Mëdha, Baraybar dhe Del Ponte, ishin të interesuar që të marrin pjesë në këtë”
Duke folur rreth Këshillit të Evropës dhe Dick Martyt thotë se senatori zviceran për shkak të problemeve me amerikanët hezitonte të fliste edhe në gjuhën angleze ndërkohë që KE’në e quan institucion jashtë ndikimit amerikan.
“Kështu është, është institucion që merret me të drejtat e njeriut. Dick Marty ishte në kundërshti me amerikanët, për shkak se paraparakisht ishte raportues i KE’së nëse ju kujtohet për burgjet në Evropë ku isin torturuar njerëzit. Ai kishte përgatitur një raport të shkëlqyer, që ishte miratuar në Këshill të Evropës, sikur ky për Shtëpinë e verdhë me të cilin Dick Marty ishte në kundërshti të fortë me amerikanët dhe ata me të”
“Ndoshta është intereaante të përmendet, kur e takova, ai ishte senator i Dhomës së Lartë të Parlamentit zviceran, dhe mbi këtë bazë ishte bërë deputet në Asamblenë e Parlamentare të KE’së, dhe unë shkova në Parlamentin Federal të Zvicrës, që të takohem me të dhe në mënyrë mekanike i drejtohem në gjuhën angleze. Unë nuk e kam ditur se çfarë origjine ka ai, e kam ditur që ai është nga pjesa italiane e Zvicrës dhe ai më tha se nëse vazhdoni në anglisht kjo bisedë do të përfundojë para se të ketë filluar. Dhe më pas unë vazhdova në frëngjisht që është gjuha kryesore e tij. Më vonë erdha në përfundim se ai flet shkëlqëyeshëm anglisht, por nuk do për shkak të raprorteve të këqija me amerikanët, vazhduamn të flasim frëngjisht, takoheshim kohë pas kohe” theksonte ambasadori serb./Express