Në pritje të vëllimit të tretë për Fan Nolin/ Studiuesi Ikonomi: Noli meriton më shumë, respekti për të ishte i jashtëzakonshëm

schedule20:57 - 2 Dhjetor, 2024

schedule 20:57 - 2 Dhjetor, 2024

Fan Noli, peshkop, përkthyes dhe politikan. Studiuesi Ilir Ikonomi në emisionin “Real Story” në ABC News, tregoi se do të sjellë një libër të tretë për Fan Nolin, duke u shprehur se do të marrë të gjithë kohën e mjaftueshme, për të mos u nxituar.

“I kam lënë vetes dy vite për librin tjetër, nuk do të nxitohem”, kështu u shpreh studiuesi Ikonomi.

Gjithashtu gjatë intervistës tregoi se si për Fan Nolin kishte një respekt të madh dhe se si në Kishë për të dëgjuar ligjëratat e Nolit shkonin edhe myslimanë.

“Do të kem një libër të tretë për Nolin. Do të ketë një vëllim të tretë. Noli meriton më shumë. Në fillim Noli gjeti në Amerikë dashurinë për të ngritur Kishën. Amerika ka lirinë e fesë që është diçka e shenjtë, ku t’i mund të ngresh Kishë në çdo gjuhë që të duash. Unë besoj se ishte prift realisht. Ai me të drejtë mendonte se Kisha do të mbështetej edhe nga myslimanët dhe ashtu ndodhi. Dhe ky ishte një fenomen shumë i çuditshëm që myslimanët vinin në Kishë për të dëgjuar ligjëratat e Nolit pas meshës. Për Nolin kishte një respekt absolut megjithëse ishte prift. Noli ka bërë një punë të shkëlqyer. New York Times ka folur për Nolin në Gjenevë. Ai kthehet në Shqipëri me një prestigj të ngritur. Respekti për të ishte i jashtëzakonshëm. Edhe kur u zgjodh kryeministër asnjeri nuk e vuri re faktin që ishte prift, të gjithë e pranuan”, u shpreh ai.

Gjithashtu u shpreh se në volumin e tretë do t’i kushtohet edhe trekëndëshit Noli, Konica dhe Zogu.

“Shkëndija lindi kur unë pashë që periudhës së Faik Konicës në Uashington nuk i është kushtuar shumë. Unë desha të bëja një libër për Faik Konicën në Uashington meqë edhe jetoja aty dhe kështu ju futa kësaj pune. Por më pas gjeta një bollëk të madh dokumentesh arkivore dhe nisa të eksploroj edhe figura të tjera”, tha më tej ai.

/abcnews.al/