Në prag të funeralit të Navalny, Moska arreston drejtorin e gazetës së pavarur ruse

schedule14:59 - 29 Shkurt, 2024

schedule 14:59 - 29 Shkurt, 2024

Në prag të funeralit të Alexei Navalny, policia e Moskës arrestoi drejtorin e Novaya Gazeta, gazetës së pavarur ruse të ndaluar nga Putin. Serghei Sokolov u dërgua në një stacion policor dhe u akuzua për “diskreditim” të forcave të armatosura.

Sokolov u emërua zyrtarisht drejtor i Novaya Gazeta në shtator 2023, pas dorëheqjes së fituesit të çmimit Nobel për Paqe Dmitry Muratov, i cili ishte etiketuar si “agjent i huaj” nga autoritetet ruse.

Është e paqartë se ku po mbahet Sokolov. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon një gjobë deri në 50 mijë rubla (e barabartë me afërsisht 500 euro). Një gazetar me shumë përvojë, Sokolov ishte zëvendës drejtor i Novaya Gazeta para se të bëhej drejtor vitin e kaluar.

Ndërsa pjesa më e madhe e stafit të Novaya Gazeta u largua nga Rusia në mars 2022 për të themeluar Novaya Gazeta Europe në Letoni, Sokolov vazhdoi të punonte për Novaya Gazeta në Rusi.

Faqja e internetit e Novaya Gazetës u bllokua në Rusi në nëntor 2022 dhe licenca e medias iu hoq në shkurt 2023.

/abcnews.al