Në prag lufte, Erdogan: Jam gati të ndërmjetësoj Rusinë dhe Ukrainën

schedule19:11 - 20 Janar, 2022

schedule 19:11 - 20 Janar, 2022

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është shprehur i gatshëm të marrë rolin e ndërmjetësuesit mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërkohë që tensionet janë në rritje.

Erdogan do të udhëtojë në Ukrainë në fillim të shkurtit. Qëllimi i tij është të bindë liderët e dy vendeve që të takohen sa më shpejt të jetë e mundur. “Kam një vizitë në Ukrainë në fillim të muajit të ardhshëm,” tha Erdogan në një konferencë shtypi me presidentin e El Salvadorit në Ankara. “Ne shpresojmë se paqja do të mbizotërojë në rajon” , tha ai.

Më herët, një zëdhënës i presidentit turk, Ibrahim Kalin, tha se Erdogan kishte ftuar liderët e Rusisë dhe Ukrainës në Turqi për të diskutuar dhe zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre.

Presidenti amerikan Joe Biden tha sot se ia kishte bërë të qartë homologut të tij rus, Vladimir Putin, se çdo lëvizje e trupave ruse në territorin ukrainas do të konsiderohej një pushtim.

Duke folur me gazetarët të mërkurën, Biden paralajmëroi se Rusia do të paguante një çmim të rëndë nëse pushton Ukrainën dhe se Shtetet e Bashkuara kishin përgatitur një paketë sanksionesh në rast të një eventualiteti të tillë. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!