Ish drejtuesi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Irakli Koçollari tha se Lufta e Ftohtë nisi me një operacion spiunazhi që u zhvillua kundrejt Shqipërisë.
I ftuar në emisionin “Bardh a Zi” , ai tha se operacioni i organizuar nga CIA quhej Djalli dhe filloi në vitin 1948. Koçollari tregoi se një nga personat që drejtoi operacionin e takoi në vitin ’99.
I pyetur nëse ishte në plan që të zhdukej Enver Hoxha, ai tha: “Të përmbysej regjimi patjetër…përmbysja e regjimit dhe vendosja e një regjimi pro perëndimor.”
“Lufta e Ftohtë ishte midis dy kampeve Perëndimi dhe Lindjes. Operacioni i parë në historinë e kësaj që quhet Luftë e Ftohtë është operacion klandestin për përmbysjen e një qeverie në një vend, ky vend ku u drejtua operacioni i parë quhet Shqipëri. Lufta e Ftohtë e ndau Evropën. Ky operacion i organizuar nga CIA filloi në 1948, emri i operacionit quhet Djalli. Plani i miratuar për këto operacione është 94 faqe. Rastësisht apo fati më ka bërë të njoh një nga njerëzit që drejtoi operacionin në terren nga pala amerikane, e kam njohur personalisht. Ishte në moshë të thyer.
Më thotë në fund të karrierës së tij, armiku im më i madh ka qenë ai që drejtoi operacionet kundër nesh. Më thotë quhet Pilo Shanto. Ai më tha se ka qenë kundërshtar por tani Lufta e Ftohtë ka mbaruar sepse është fjala për vitin ’99-2000. Më tha a mund ta takoj. E takova Pilon, ia thashë. Pse interesohesh për këtë emër? Këtu na ka vrarë njerëz. I thashë a mund ta pimë një kafe bashkarisht. Unë shkova përpara në kafe dhe më pas vjen Pilo. E panë njëri tjetrin dhe ngelën të shtangur. I tha ‘Pilo Shanto, kurrë s’ma kishte marrë mendja se do të takoje gjallë në këtë botë se më ke vrarë 300 burra që kam dërguar këtu si agjentë”, tha mes të tjerash Koçollari./abcnews.al