Nga Martin Ivens “Bloomberg”
Javën e kaluar, një investigim i organizatës së njohur “Amnesty International dhe i disa mediave, pretendoi se 37 krerë shtetesh, gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe biznesmenë ishin përgjuar përmes një sistemit të zhvilluar nga kompania izraelite e mbikëqyrjes “NSO Group”.
Emrat e të përgjuarve ishin pjesë e një liste të dekonspiruar prej 50.000 numrash telefoni celular të individëve të konsideruar “si njerëz me interes” nga klientët qeveritarë të“NSO Group”. Rreth 600 prej tyre janë politikanë apo kryetarë shtetesh, duke filluar nga presidenti francez Emmanuel Macron deri tek Mbreti i Marokut.
Kompania izraelite i mohon këto akuza. Por zbulimet, si dhe prova të tjera sugjerojnë se shkeljet e mëdha të privatësisë po bëhen më shumë një normë sesa një përjashtim. Agjencitë tradicionale shtetërore po përpiqen që të ecin me ritmin e kohës.
Arsyeja është e thjeshtë: Shumica e ligjeve mbi privatësinë u miratuan në epokën e shërbimeve postare, të telefonave fiks dhe gazetave fizike. Sot njerëzit e zhvillojnë në internet një pjesë të madhe të jetës së tyre.
Ata lejojnë që celularët e tyre të regjistrojnë, me dëshirë ose jo, prova të sekreteve të tyre më të thella. Dhe pandemia e Covid-19kazhvendosur biznesin më konfidencial tek platformat dixhitale që regjistrojnë bisedat e tyre.
Kjo i bën pajisjet tona shënjestra fluide për shtetet autoritare dhe aktorët e këqij, si dhe për spiunët e kompanive private, të cilët zotërojnë mjetet për t’i ndihmuar ata. Është e vërtetë që ka përparime të dukshme në përhapjen e mbikëqyrjes moderne të popullatës. Për shembull, më shumë se 400 njerëz që sulmuan Capitol Hill në SHBA më 6 janar të këtij viti, u arrestuan dhe u akuzuan pasi ata lanë “shenjat e gishtave” të tyre dixhitalë në vendin e ngjarjes.
Vendndodhjet e tyre u konfirmuan nga satelitët GPS, sinjalet WiFi, videot dhe meta të dhënat- pra të gjitha të mbledhura nga gjigantët e internetit. Ishte një tjetër kompani izraelite e sigurisë, “Cellebrite”, ajo që zhbllokoi dhe kopjoi përmbajtjen e pajisjeve të tyre të lëvizshme.
Një nga kryengritësit e Capitol u pyet në Facebook nëse ishte arrestuar:“Ende jo!”. Menjëherë sapo e dërgoi atë mesazh, u vu në pranga. Por sofistikimi dhe dominimi i teknikave të mbikëqyrjes të përdorura nga agjencitë policore në vendet demokratike duhet të ngrejë pikëpyetjen se sa të gatshëm jemi që t’i lejojmë qeveritë të na përgjojnë në jetët tonë private.
Debati mbi këtë çështje shpërtheu kur ish-kontraktori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA) Eduard Snowden zbuloi shkallën e gjerë të programit të mbledhjes së të dhënave të qeverisë amerikane në vitin 2013. Megjithatë zbulimet e Snowden, nuk zbuluan ata që kishte në shënjestër qeveria:gazetarë të veçantë apo aktivistë të të drejtave të njeriut.
Raporti i Amnesty International nga java e kaluar pretendon se qeveritë autoritare të tilla si Arabia Saudite përdorën spiunin Pegasus të NSO-së ndaj disidentëve dhe gazetarëve. Në fillim, Pegasus u krijua për t’i ndihmuar qeveritë perëndimore në gjurmimin e terroristëve dhe të rrjeteve kriminale kryesore.
Dhe “NSO Group”, pretendon se tregton vetëm sisteme përgjimi tek qeveritë për të cilat ka dhënë miratimin qeveria e Izraelit. Po ashtu kompania pretendon se teknologjia e saj ka shpëtuar shumë jetë njerëzish.
Por ekuilibri i përfitimeve dhe dëmeve sot duhet të ketë sot vëmendje më të madhe. “Amnesty International” pretendon se softueri Pegasus është përdorur për të shënjestruar kundërshtarët e qeverisë nacionaliste hindu të Narendra Modi në Indi, si dhe ndaj disidentëve ndaj qeverisë populiste hungareze të Victor Orban.
“NSO Group” duket më pak si një kompani inovative që bën punën e nevojshme, dhe
më shumë si një organizatë që tenton të gjejë justifikime për një përgjim të papranueshëm. Tashmë i përfshirë në një proces gjyqësor me WhatsApp mbi akuzat se ka sulmuar më shumë se 1.000 klientë përmes aplikacionit të tij të mesazheve, Pegasus është përmendur gjithashtu në lidhje me vjedhjen e të dhënave që zbuluan lidhjen jashtëmartesore të themeluesit të Amazon, Jeff Bezos.
Dhe nëse ky i fundit nuk është i sigurt nga përgjuesit, atëherë kush është? E megjithatë qeveritë kanë qenë shumë të ngadalta në gjetjen e një mënyre se si të kontrollojnë softuerin e piratëve kibernetikë.
Macron ka dëshmuar seriozitet duke thirrur një takim të shpejtë të organeve të sigurisë kibernetike pas akuzave të fundit mbi sistemin e përgjimit Pegasus. Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, ka deklaruar se eksporti i kësaj pajisje nga “NSO Group” duhet të kufizohet vetëm tek vendet demokratike ku ka një mbikëqyrje gjyqësore të këtyre aktiviteteve.
Presidenti amerikan Joe Biden, i interesuar për të shmangur konfliktin me Izraelin, duhet t’ia bëjë të qartë qeverisë së re në Jerusalem se “NSO Group” i konsideruar si simboli i inovacionit dhe sigurisë izraelite, rrezikon që të dëmtojë interesat dhe reputacionin e vendit të tij të origjinës.
Abuzimet e raportuara janë shumë të gjera për t’u shpërfillur. Thirrja e shpejtë e një komisioni parlamentar në Knesset, parlamentin izraelit, mbi çështjen tregon se në kundërshtim me mohimet e mëparshme në vitet e epokës Netanhayu, tani ka çështje serioze etike të cilave u duhet dhënë përgjigje.
Mos-adresimi i tyre do të duket si neglizhencë apo më keq akoma nga ana e Izraelit dhe SHBA. Shkalla industriale e sistemit Pegasus, dhe lista e gjatë e synimeve të tij është një kujtesë, se siguria dixhitale mbetet shumë prapa inovacionit dixhital.
Spiunimi kibernetik është ekuivalenti i armëve tradicionale në shekullin XXI:Produktet e tij janë armë të shtypjes dhe mbikëqyrjes në masë. Me këtë rast informatorët i kanë bërë një favor demokracisë. Tani edhe pse me vonesë, qeveritë duhet të veprojnë.
/Përktheu: Alket Goce-abcnews.al