Kryediplomati i BE në Tiranë, Luigi Soreca ka deklaruar se është në monitorim të situatës përsa i përket operacionit “Forca e Ligjit”. Soreca tha se shumë shpejt do të ketë një takim me kreun e SPAK për t’u siguruar që ligji të zbatohet në përputhje të plotë me të drejtat e njeriut.
Nga pika kufitare e Kakavijës për operacionin “Forca e Ligjit”, kryediplomati i BE deklaroi se ky ligj i posaçëm aplikon parimin e rëndësishëm të ndjekjes së parasë.
“Më pyesni sikur unë jam prokuror apo në krye të operacionit Forca e Ligjit, por unë nuk jam. Ajo që mund të them është se ky ligj i posaçëm aplikon parimin e rëndësishëm të ndjekjes së parasë. Ligji është i qartë me subjektet e tij. Për ne të BE është e rëndësishme mënyra si do zbatohet dhe po zbatohet ligji. Ne po e monitorojmë nga afër zbatimin e këtij ligji. Së shpejti do të takohem me kryetarin e SPAK, ligji duhet zbatuar në përputhje të plotë me të drejtat e njeriut”, tha Soreca.
Ndërkohë kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, tha i vendosur se nuk do të bëhet asnjë tolerim: “Nuk do të ketë asnjë tolerancë për të gjithë ata presona, që do të jenë subjekt i paketës “Anti KÇK”. Akti normativ ka vetëm pesë ditë që është duke u implementuar dhe ka fuqi zbatimi deri në fund të dhjetorit. Çdo preson që do jetë pjesë e këtij akti, do jetë pjesë e hetimeve dhe nuk do të ketë asnjë tolerancë”, deklaroi Veliu./abcnews.al

