Në “monitorim” nga Chelsea, Real e Barcelona, Nico Williams pret “menaxherët”

schedule19:56 - 18 Nëntor, 2024

schedule 19:56 - 18 Nëntor, 2024

Pa dyshimin më të vogël mund të quhet një nga lojtarët më premtues të futbollit spanjoll.

“Fantazisti” i krahut të majtë të fushës, Nico Williams po shkëlqen te Athletic Bilbao dhe me paraqitjet e tij ka tërhequr vëmendjen e shumë “gjignatëve” të futbollit, si në Angli, por edhe atij vendas, me Barcelona e Real Madrid, që kërkojnë të kenë në skuadër një lojtar si ai.

Talenti 21-vjeçar i sulmit, i cili në qershor u shpall kampion i Evropës me “Iberikët” spanjollë, po kalon momente fantastike te “baskët” e tij, skuadër ku edhe është rritur, së bashku me vëllain e tij, Inaki Williams.

Të shumta kanë qenë zërat, që e lidhin 21-vjeçarin me një kalim, te një prej “gjigantëve” të futbollit evropian, por deri më tani nuk ka një lëvizje konkrete dhe për mediat, “ylli” i futbollit spanjoll ka folur me tepër modesti për interesimin e skuadrave të mëdha.

“Nëse skuadra të mëdha si Barça, Real Madrid apo klube angleze po më monitorojnë, do të thotë se po e bëj mirë punën time. Unë jam i qartë për vendimin që dua të marr, por në fund kjo është diçka për të cilën mendojnë agjentët e mi. Të cilët kanë qenë me mua që kur isha 11 vjeç. Dhe ata janë prindërit e mi dhe vëllai im”,- theksoi Nico.

Siç thamë edhe më lart, “Iberiku” është rritur në akademinë e Athletic Bilbao dhe ka një kontratë me “baskët” deri në verën e vitit 2027. /i.m /abcnews.al