“Në mbrojtje të Kushtetutës”, mesazhet që Ilir Meta dha në tubimin e 2 marsit

schedule21:39 - 2 Mars, 2020

schedule 21:39 - 2 Mars, 2020

Këtë 2 mars për herë të parë një kryetar shteti ftoi popullin e tij në protestë kundër një qeverie që sipas tij përmes vendimarrjeve të saj po konsumon një grusht shteti. Ilir Meta kërkoi pasditen e të hënës të gjithë bulevardin për vete, në një tubim që ai vetë e parashikoi të ishte i madh. Në mesditë në krye të podiumit, këshilltarët e Presidentit vendosën foltoren dhe tavolinën ku disa orë më pas Ilir Meta do të formoste dekretin e tij.

Mbështetjen edhe pse nuk e kishte kërkuar, e kishte marrë të plotë nga partitë opozitare. Kjo ishte hera e parë që Lulzim Basha mbështeste jo vetëm një protestë por dhe aksion politik të inicuar dhe drejtuar nga Ilir Meta. Edhe pse i kishte bërë thirrje simpatizantëve të tij ta mbështesnim Presidentin, Basha i kishte lënë të paqartë demokratët për rolin që ata vetë do të kishin në bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Policia e Shtetit respektoi vendimin e Presidentit për të mos qenë në krye të tubimit të tij, por nuk anashkaloi sigurinë dhe masat në një tubim ku fjalën kryesore do të mbante kreu i Forcave të Armatosura.

Në orën 16:30, bulevardi Dëshmorët e Kombit kishte nisur të vishej me ngjyrat kuq e zi. Sfondin muzikor të tubimit, këshilltarët e Metës ja kishin dedikuar të gjithin një repertori me këngë për Shqipërinë. Ajo që binte në sy ishte një pjesëmarrje e lartë grave në protestë, të cilat sipas këshillës së Ilir Metës mbanin në duart dëgë mimozash.

Sali Berishës për të ardhur në protest iu desh të kalonte pranë ish-zyrës së tij në Këshillin e Ministrave në të cilën qëndroi 8 vjet. Pa dashur të komentojë ish-aleatin e tij Meta, Berisha mesazhin ia drejtoi shqiptarëve.

Ashtu siç edhe kishte premtuar, në protestë Lulzim Basha erdhi në pozitat e qytetarit dhe në krah të Besnik Mustafajt e Besnik Bishës dhe falenderimin e tij ndaj atyre që iu përgjigjën thirrjes për mbrojtjen e kushetetutës i kujtoi Xhefersonin.

Si shenjë mirënjohje për mbështetjen që i ka dhënë, thirrjeve të kreut të shtetit iu përgjigjën edhe banorët e Unazës dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Përgjatë 2 orëvëve të manifestimit të Presidentit, valët telefonike dhe ato të transmetimit u ndërprenë, duke bërë thuajse të pamundur transmetimin e mediave.

Me 35 minuta vonesë, Ilir Meta doli nga zyra e tij për t’iu bashkuar protestuesve. Si shenjë mirënjohje për këdo që ishte në bulevard, Ilir Meta e nisi tubimin me një gjunjëzim nga oborri i Presidencës.

Për këdo që humbi gjynjëzimin në oborrin e Presidencës, Ilir Meta përsëriti edhe njëherë veprimin kur u ngjit në podium. Entuziazmin dhe adrenalina që i dha rikthimi në podiumet me qytetarë, kreu i shtetit e shfaqi herë pas here në komunikimin me manifestuesit. Kur kërkonte që mesazhi të përcillej i plotë nuk nguronte edhe të këshillonte intelektualët që folën në podium, sic ishte rasti me Edmond Budinën.

Dhe kur rradha i erdhi për të folur, Ilir Meta u zhvesh nga kostumi Presidencial. Për më shumë se 30 minuta fjalim, tregoi gishtin e përgjegjësive, valëviti flamujt, tundi mimozat dhe hodhi firmën e dekretit.

Në 90 minutat e tubimit të Metës, thirrja që u shoqëroi të gjithë manifestimin ishte ajo për shpërndarjen e parlamentit.

Kur Ilir Meta foli për djegien e mandateve dhe shkeljet e Kuvendit, kryeopozitari Basha aprovoi me kokë ilegjitimitetin e parlamentit, duke mos e fshehur dëshirën që kërkesa që vinte nga turma të kthehej në dekret presidencial.

Por ultimatumi dhe afatet e vendosura nga Ilir Meta duket se kënaqën qytetarët. Rikthimin në zyrën e tij, Presidenti e mori qetësisht. Kur hyri në atë që e ka cilësuar si kështjella e mbrojtjes së drejtësisë, Ilir Meta ishte besoi se nuk e kishte thënë siç duhej falenderimin për qytetarët, të cilëve nisi t’i shtrëngoi dhe t’i puth duart.

Në orën 19:00 bulevardi Dëshmorët e Kombit nisi t’i rikthehej normalitetit, me efektivë policie të cilët largoheshin dhe punonës të bashkisë që pastronin bulevardin. Pas asaj besëlidhjeje të Lezhës, 2 marsi i Ilir Metës i hapi rrugë një tjetër ngjarjeje të pazakontë siç mund të jetë edhe dekreti që ai njoftoi për shpërndarje të parlamentit./abcnews.al