Vlen vetëm fitorja/ Shqipëria pret Andorrën, Sylvinho ndryshon formacionin, më shumë fantazi dhe sulmues

schedule11:26 - 24 Mars, 2025

schedule 11:26 - 24 Mars, 2025

Ndeshja e parë në “Wembley” duhet harruar. Jo për humbjen, që ishte e pritshme, por më shumë për lojën. Tani është Shqipëria që duhet të bëjë Anglinë në sfidën e dytë për eliminatoret e “Botërorit 2026” kundër Andorrës.

Fitorja është detyrim për skuadrën e Silvinjos, që për ta arritur i duhet një tjetër futboll nga ai i shprehur në Londër, tre ditë më parë. E thënë më qartë. Shqipëria duhet të sulmojë dhe shënojë ndaj një rivali që do të mbrohet me të gjitha forcat.

Për këtë arsye trajner dhe stafi teknik kuqezi duhet të gjejë të tjera zgjidhje në qasje dhe formacion, sidomos nga mesfusha e lartë. Sipas të gjitha gjasave, mbrojtja do të ketë më pak punë, ndërsa për paraqitjen që bënë në “Wembley” dhe alternativat e pakta në dispozicion, Silvinjo nuk pritet të ndryshojë në prapavijë.

Strakosha kthehet i gatshëm në portë. Përpara tij në qendër Gjimshiti e Ajeti, ndërsa krahët do të mbulohen nga Aliji në të majtë dhe Balliu në të djathtë. Siç dihet Shqipërisë i duhet të gjejë hapësira në mbrojtjen e ngjeshur të Andorrës dhe për këtë duhen lojtarë teknik të shpejtë dhe që krijojnë epërsi numerike falë lojës një kundër një.

Kështu, Asllani e Ramadani mbeten pikë fikse, ndërsa Silvinjo mund të shtojë fantazistët në fushë. Bajrami spostohet më në qendër, për t’I lënë hapësirë Muçit ose Hoxhës në të majtë. Një opsion është loja me dy sulmues: Broja titullar në krahun e djathtë dhe në qendër Manaj, I favorizuar ndaj Uzunit që shpenzoi shumë energji kundër Anglisë.

Por këto janë alternative të mundëshme. Përpara ndeshjes topi është në këmbët e Sylvinjo, që kundër Androrrës nuk mund të gabojë asgjë si në emra ashtu edhe në strategji./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!