Kristian Sheri dhe Armando Marku, dy të rinjtë që ndodheshin në makinë me Aldi Ramën në momentin kur ai qëlloi me armë zjarri nënkomisarin Saimir Hoxha janë lënë në burg pa afat.
Burime bëjnë me dije për ABC se Gjykata e Apelit në Shkodër ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së Parë Lezhë duke rrëzuar kërkesën e të rinjve për masë më të burë sigurie.
Ndaj tyre rëndon akuza për moskallëzim krimi pasi të martën e 28 shtatorit, kur ndodhi edhe ngjarja e rëndë ata ndodheshin në makinë me autorin e krimit Aldi Rama.
Dy të rinjtë ishin në një automjet me 21-vjeçarin Aldi Rama në zonën Kune-Vain të Lezhës në momentin kur tre efektivët e policisë, mes tyre edhe Saimir Hoxha i ndaluan për kontroll. Kristian Sheri dhe Armando Marku iu bindën urdhrit dhe zbritën nga automjeti, ndërsa Rama nuk e bëri një gjë të tillë.
“Nuk jam për t’u kontrolluar” u bë me dije se i ka thënë ai nënkomisarit Saimir Hoxha dhe e qëlloi menjëherë pa paralajmërim, ndërsa ky i fundit gjeti vdekjen pak çaste më vonë. Pasi qëlloi me dy plumba efektivin, 21-vjeçari u arratis me automjet. I riu u gjet pas disa orësh, i plagosur në gjendje të rëndë, ku dyshohet se qëlloi veten. Aldi Rama humbi jetën në spitalin e Traumës. m.v/Abcnews.al