Në Lojërat Olimpike Dimërore 2022 në Pekin do të lejohen vetëm spektatorët vendas

schedule15:24 - 30 Shtator, 2021

schedule 15:24 - 30 Shtator, 2021

Vetëm ata që jetojnë në Kinë do të mund të shohin si spektatorë Lojërat Olimpike dimërore të Pekinit, që nisin në 4 shkurt të vitit të ardhshëm. Një vendim ky i marrë për të shmangur infektime të reja me Covid-19. Gjithashtu për shkak të pandemisë, Komiteti ndërkombëtar olimpik, bëri të ditur se vetëm atletët të vaksinuar me të dy dozat do të mund të shmangin karantinën e detyrueshme prej 21 ditësh, sapo të mbërrijnë në vend.

Politika e vaksinimit parashikon se do të pranohen të gjitha vaksinat e miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë apo nga autoritetet shëndetësore të vendeve pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike.

Të gjithë ata që nuk do të jenë të vaksinuar për arsye mjekësore, do të vlerësohen një nga një. Vendimi sipas komitetit ndërkombëtare olimpik, është marrë për të ruajtur shëndetin e sportistëve dhe spektatorëve.

Sipas udhëzimeve, nga 23 janari e deri në përfundim të lojërave para olimpike. komiteti organizator do të izolojë të gjitha zonat që lidhen me lojërat, duke krijuar një flluskë gjigante të sigurte, e cila do të jetë e pajisur dhe me një sistem transporti.

Lojërat Olimpike të Pekinit do të nisin në 4 shkurt 2022 dhe do të përfundojnë në 22 të po atij muaji. Në ndryshim nga Lojërat Olimpike të Tokios, në Pekin do të ketë publik, por vetëm ata që jetojnë në Kinë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!