Eksperti i gjeopolitikës, Kreshnik Osmani thotë se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk ka pasur qëllim vetëm Gazën por edhe Bregun Perëndimor dhe Libanin, siç po tregohet me sulmet e fundit ndaj Hezbollahut. I ftuar në “360 gradë”, ai e cilësoi atë që po ndodh në Liban një “tërmet” të shekullit 21.
Sipas tij, këto ofensiva do të sjellin një riformatim total të Lindjes së Mesme.
“Netanyahu nuk kishte qëllim të vetëm Gazën. Më pas ishte Bregu perëndimor dhe më pas Libani dhe targete të tjera. Ajo që ka ndodhur në Lindjen e Mesme, posaçërisht në Liban është tërmeti më i madh i shekullit 21, që do të shkepë tërësisht Lindjen e Mesme dhe do ta riformatojë plotësisht atë sipas një skeme të përgatitur në mënyrë profesioniste jo vetëm nga Netanyahu por edhe nga ata pas prapa tij, SHBA, britanikët dhe Perëndimi në përgjithësi. Është hapi më i rëndësishëm pas marrëveshjes së Sykes-Picot në fillim shekullin 20, ku ishte ndarja e Lindjes së Mesme ndërmjet influencës britanike dhe franceze.
Pas kësaj, na ka thënë dhe Kissinger që do të kemi riformatim të ri të Lindjes së Mesme. Kjo nisi me 11 shtatorin, ku u dha shkëndija e parë e këtyre ndryshimeve të mëdha radikale, u pasua me sekretaren e Sekretares Amerikane të Shtetit Condoleezza Rice në 2006 në epokën Bush për atë që u quajt “destabiliteti pozitiv” dhe rishkundja e lindjes së mesme. Më pas erdhi pushtimi i Irakut dhe zhvillimet e tjera të cilat pasuan me ndërhyrjen e presidentit Obama në 2011, lindja e pranverës arabe, shkatërrimi i të gjitha vendeve në Afrikën e Veriut, Siri e kështu me radhë derisa vijmë në këtë moment. Lufta ka nisur.”, u shpreh eksperti./abcnews.al