Në këtë kopsht që ndodhet në fshatin Fushë Mamurras, Gjergj Gjaci ka mbjellë fruta ekzotike që të tjerë nuk kanë guxuar t’i kultivojnë në Shqipëri.
Aty gjen banane, avokado e feijoe.
“Këtë kopsht e kam ndërtuar me dashuri. Unë kam mbjellë, kjo këtu është avokado, kam mbjellë fejioe, nuk është e njohur në Shqipëri. Akoma nuk është futur në prodhim”.
Gjergjit i janë dashur jo pak, por 20 vite punë që të krijonte këtë kopsht me larmishmëri frutash e bimësh të tjera.
Ai banon në Tiranë, por prej daljes në pension pak vite më parë, vizitat drejt Fushë Mamurrasit i ka shpeshtuar.
Në tokat e mbjella kalon më tepër kohë.
“Portokall, limon, mandarinë, janë të shartuara. Të gjitha nga duart e mia, duke filluar nga mbjelljet e mia”.
Për të gjitha frutat e bimët kujdeset vetë.
“Kam një vreshtari, nuk ka qenë vit i mbarë. Të gjitha këtyre iu shërbej vetë”.
Por kopshtaria nuk është i vetmi pasion i Gjergjit, i cili ndër vite ka ushtruar funksione të rëndësishme në institucionet publike.
Është autor i të paktën 7 librave dhe redaktor i shumë të tjerëve.
“Që në rini, kur kam qenë redaktor në gazetën “Kastrioti”, kam filluar, kam shkruar në organet qendrore dhe kryesisht në ato lokale”.
Në bibliotekën e tij të madhe të shumta janë veprat e diktatorit Enver Hoxha.
Po përse i ruan ende?
“Unë i kam të gjitha veprat e Enver Hoxhës. Libri është kulturë, kam dëshirë që t’i kem të gjithë llojet e librave”.
Jo pa keqardhje, Gjergji thotë se sot të rinjtë po heqin dorë nga leximi. Ai kërkon që prindërit, por edhe shkollat të bëjnë më shumë përpjekje për të afruar nxënësit me librin./abcnews.al