Rikthehen ditët me shumë ndeshje. Katër përballje janë këtë të martë në Kampionatin Europian dhe në fushë zbresin dy nga gjigandët dhe pretendentët e mëdhenj. Anglia e Franca mbyllin aventurën në grupe dhe janë në pozita të mira për kualifikim dhe kryesim.
Shpikësit e futbollit janë në vend të parë në Grupin C, me 4 pikë, ndonëse nuk kanë bindur aspak. Trajneri Gareth Southgate e ka shumë të qartë këtë, ndërsa përgatit ekipin për ndeshjen e orës 21:00 në Këln ndaj Sllovenisë.
Lojrat ndaj Serbisë dhe Danimarkës kanë qenë larg pritshmërive, ndërsa Gallagher mund të zëvendësojë Aleksander-Arnold në mesfushë. Trippier ka pasur probleme fizike, Ljuk Shou nuk është gati, ndërsa kapiteni Harry Kane duket I lodhur, por sërish pritet në fushë. Southgate vendos t’i anashkalojë kritikat.
“Atmosfera është shumë e mirë. E dimë se ka shumë komente dhe kritika për ne, por unë po flas për situatën brenda ekipit. Ne jemi të qetë dhe synimi ynë kryesor është që të luajmë më mirë. Duhet të bëjmë më shumë. Rezultatet thuajse na kanë kaluar në raundin tjetër, por ne duam të dalim në krye të grupit. Natyrisht që ne duam të jemi në një nivel tjetër nga ai që kemi treguar deri tani”.
Franca ndërkaq sërish ka çështjen “Kylian Mbappe”. A është apo jo gati kapiteni, pas thyerjes së hundës ndaj Austrisë? Sulmuesi është stërvitur me ekipin, por pa luajtur kundër Holandës, një ndeshje ku u ndje shumë mungesa e tij para portës. Trajneri Didier Deschamps nuk zbulon ndonjë gjë nëse Mbappe do të jetë në fushë kundër Polonisë në grupin D në orën 18:00 në Dortmund.
“Mbappe po bëhet çdo ditë më mirë. Kjo është e qartë sepse ai po stërvitet. Natyrisht, ai dëshiron që të luajë, ashtu siç deshi edhe ndaj Holandës. Nuk ka qenë shumë komod me maskën, sepse ia kufizon disi vështrimin, por po mësohet. Frymëmarrja nuk është një problem. Do të doja që të bëja rotacion, por këtë herë nuk jemi të sigurt nëse do të dalim në krye. Na duhen më shumë gola”.
Franca është në vendin e dytë në grup pas Holandës, që ka golaverazh më të mirë, ndaj i duhet fitorja ndaj polakëve, madje me gola. Dy ndeshjet e tjera të sotme janë Danimarkë-Serbi në orën 21:00 në grupin C dhe Holandë-Austri në orën 18:00 në grupin D. /i.m /abcnews.al