“Në “Elbasan Arena” kërkojnë 3 pikë”, Bushi: Jemi gati për Rumaninë

schedule18:56 - 11 Shtator, 2023

schedule 18:56 - 11 Shtator, 2023

Kombëtarja shqiptare U-21 do të luajë pasditen e së martës takimin e radhës, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian të të rinjve, Euro 2025 ndaj Rumanisë në stadiumin “Elbasan Arena”.

Pas tre pikëve të fituara në transfertën e Armenisë, kuqezinjtë e drejtuar nga tekniku Alban Bushi synojnë të marrin një tjetër rezultat pozitiv. Në konferencën për shtyp të zhvilluar si zakonisht në prag të sfidës, tekniku i “shpresave” fillimisht foli për gjendjen e skuadrës pas fitores e më pas analizoi triumfin ndaj Armenisë dhe tregoi më shumë se çfarë pret nga përballja e nesërme.

“Gjendja është e mirë dhe morali i çunave është i lartë. Kemi pasur disa dëmtime, por besoj deri nesër do t’i rikuperojmë.

Ishte një fitore e merituar dhe e vështirë. Asnjëherë nuk është e lehtë të fitosh jashtë. I kam falenderuar çunat për shpirtin e sakrificës që ata treguan deri në fund. Nuk ishte loja jonë më e mirë, kishim shumë mungesa dhe grupi bëri vetëm një stërvitje së bashku, për shkak të lojtarëve që munguan nga mos-pajisja në kohë me pasaporta. Kjo ndikoi në manovren sulmuese. Na mungoi edhe Pajaziti që për ne është shumë i rëndësishëm në mesfushë.

Besimi është arma e fortë qe ne kemi. Nuk kemi frikë asnjë ekip. Ne do bëjmë lojën tonë dhe do luajmë për fitore. E respektojmë emrin e Rumanisë, por nuk e mbivlerësojmë si ekip. E dimë që vështirësia është e lartë me këtë lloj kundërshtari, por objektivi dhe qëllimi që ne kemi nuk do të na pengojë për të marrë 3 pikët! Mendoj që ky grup do të jetë i hapur deri në fund”,- u shpreh tekniku Bushi. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!