“Në derbi vetëm për fitore, s’e kemi frikë Interin. Ibra? Shoku perfekt”

schedule16:38 - 19 Shkurt, 2021

schedule 16:38 - 19 Shkurt, 2021

Derbi i Milanos po afron dhe atmosfera po rritet. Milani dhe Interi rikthehen pas një kohe të gjatë të luftojnë për titullin kampion dhe zikaltrit kryesojnë Serie A me vetëm një pikë më shumë se kuqezinjtë e Piolit.

Theo Hernandez, një nga pikat më të forta të “Djallit”, flet rreth ndeshjes të ditës së diel (15:00), Zlatan Ibrahimovic dhe duelit me Achraf Hakimin.  “Ky është një derbi më i rëndësishëm se të tjerët, për shkak të pozicionit të dy skuadrave në renditje.

Jam i bindur që do të zhvillojmë një ndeshje të bukur. Unë dhe shokët e mi nuk kemi frikë nga askush, do të zbresim në fushë për të imponuar lojën tonë dhe për ta fituar ndeshjen. Po punoj fort për t’u bërë një nga lojtarët e krahut më të mirë në botë, ashtu siç thotë edhe Maldini.

Shpresoj t’ia arrij, për momentin jam i fokusuar vetëm te përmirësimi i vetes. Ibra? Zlatan është mbresëlënës. Të arrish në moshën 39-vjeçare me një fizik të tillë është diçka impresionuese. Është plus i madh ta kesh në skuadër. Ai është një shok skuadre për t’u pasur zili.

Sapo gabojmë ndonjë pasim, ai na karikon për të bërë më mirë herën tjetër. Edhe na qorton, ka raste kur të çan tr***n, por është e drejtë që të sillet kështu. Hakimi? Të dy kemi marrë vendime të drejta duke u larguar nga Real Madrid.

Nuk na u dha mundësia për të luajtur atje, nuk ishim të lumtur. Hakimin e njoh personalisht, është një djalë i mirë dhe ngjajmë shumë. Gjithsesi, në derbi jemi armiq me njëri-tjetrin“, përfundoi “raketa” e krahut të majtë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!