Në Bjellorusi, një postim në mediat sociale mund të jetë një biletë për në burg

schedule10:57 - 18 Tetor, 2021

schedule 10:57 - 18 Tetor, 2021

The Washington Post

Në korrik, Anastasiya Krupenich-Kandratsiyeva, një mësuese dhe Siarhei Krupenich, një punonjës i teknologjisë, shkëmbyen mesazhe me njëri-tjetrin përmes aplikacionit Telegram, duke dërguar postime nga disa prej 100 kanaleve që diktatura në Bjellorusi i ka etiketuar si “ekstremiste”. Ata u arrestuan.

Në stacionin e  policisë, oficerët pasi kontrolluan  celularin e Krupenich-Kandratsiyeva, zbuluan mesazhet dhe çifti është burgosur që atëherë.

Ky është peizazhi totalitar i Bjellorusisë.

Udhëheqësi i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i cili vodhi zgjedhjet presidenciale të vendit në vitin 2020, ka burgosur gazetarë, mbylli faqet e tyre të internetit dhe shkatërroi shumicën e organizatave joqeveritare.

Këtë muaj, një njësi policore njoftoi se njerëzit do të akuzohen për krime rreth asaj  që shohin ose abonohen në internet, veçanërisht në  kanalet e koduara të Telegramit. Qeveria publikoi disa rregulla të reja rreth informacioneve që cilësohen si “ekstremiste”, të cilat hynë në fuqi më 15 tetor, por dokumenti nuk përcaktonte ndëshkime specifike, raporton abcnews.al

Ajo që regjimi i Lukashenko e quan “ekstremist” është kryesisht informacion opozitar, lajme dhe raporte për brutalitetin e tij. “Ju mund të arrestoheni vetëm duke lexuar  një lajm të tillë ose duke komentuar diku,” tha Tatsiana Khomich, koordinatore e opozitës për të burgosurit politikë, motra e së cilës, Maria Kolesnikova, është një udhëheqëse e opozitës, që është burgosur.

Të dy motrat punuan për një zyrtar të Minskut, Viktor Babariko, një aspirant presidencial i arrestuar para votimit, i cili  është ende në burg. Gjatë viteve të fundit, Bjellorusia kishte një komunitet të mirëfilltë të punonjësve të teknologjisë – kodues dhe programues. Më 28 shtator, KGB-ja e Bjellorusisë(Komiteti për sigurinë e shtetit) kontrolloi apartamentin e Andrey Zeltsar, 31 vjeç, në Minks, i cili punonte për një kompani teknologjike me qendër në SHBA, Epam Systems.

Kjo çoi në një shkëmbim zjarri, në të cilin Zeltsar dhe një oficer i KGB -së, Dzmitry Fedasiuk, mbetën të vrarë. Detajet nuk janë ende të qarta, por miqtë e tij thonë se Zeltsar ishte mbështetës i demonstratave pro-demokracisë  gjatë vitit të kaluar. Në ditët pas incidentit, mediat sociale në Bjellorusi shpërthyen me komente për rastin.

Në një deklaratë të përbashkët, grupet e të drejtave të njeriut thanë se 136 u arrestuan me akuzën e “fyerjes së një përfaqësuesi të autoriteteve” ose “nxitjes së urrejtjes shoqërore”. Duke deklaruar se shprehja e opinionit nuk është një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe nuk duhet t’i nënshtrohet ndëshkimit, grupet kërkuan lirimin e 73 personave që ata thanë se ishin arrestuar gabimisht.

Liria e shprehjes është një normë demokratike që Lukashenko e shkel vazhdimisht. Ai humbi zgjedhjet vitin e kaluar, por shpalli fitoren dhe dërgoi në internim rivalen e tij kryesore, Svetlana Tikhanovskaya, e cila ishte fituese, raporton abcnews.al

Mijëra njerëz dolën në rrugë duke protestuar paqësisht. Regjimi u përgjigj me një valë arrestimesh. Qelitë e ndëshkimit në Bjellorusi janë të mbushura me të burgosur politikë. Një dëshmitar tha se një qeli e destinuar për katër mbante 16 persona.

Viasna, një grup monitorues i të drejtave të njeriut, tha se ka 812 të burgosur politikë në Bjellorusi, por sipas burimeve mund të jenë me mijëra: artistë, gazetarë, blogerë, punonjës të teknologjisë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut.

“Krimi” i tyre i vetëm është të duan një Bjellorusi normale dhe demokratike.

/abcnews.al