Kryesia e Partisë Socialiste ka zyrtarizuar sot 61 kandidatët për zgjedhjet vendore të 14 majit. Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, drejtuesi politik i Qarkut te Tiranës, Erion Veliaj prezantoi para mediave ekipin garues. Ai deklaroi se Kryesia rikonfirmoi kandidimin e kryetarëve aktualë në bashkitë e këtij qarku.
“Kemi konfirmuar kandidatët për Qarkun e Tiranës – është qarku më i madh, me 700 mijë votues. Tirana ka vajtur me 62 kandidate. Me përqendrimin e popullsisë Tirana do të ketë gjithmonë e më shumë zë, edhe me ndryshimin e mandateve në 2025, kështu që kemi marrë disa vendime jo vetëm për të fituar 14 Majin, por për të menduar edhe për fitoren e radhës.
Në bashkinë e Rrogozhinës, Edison Memolla do të vazhdojë të ketë përkrahjen tonë. Bashkia e Rrogozhinës është transformuar totalisht. Me Redjan Krajlin do të vazhdojmë në Kavajë, duam të vijojmë investimet aty. Në Vorë, ne bëmë një eksperiment, provuam Blerim Sherën në zgjedhjet e parakohshme. Ka qenë një eksperiment që ka dalë me sukses. Duam që Vora të mos jetë një vend tranzit, por një destinacion. Do vazhdojmë me Rakip Sulin në Kamëz. Kamza, ndoshta ka pasur transformimin më të madh. Unë e di që e mira nuk ka fund, por këto janë vërtet ditët më të mira të qarkut tonë. Kamza nuk ka qenë kurrë më mirë, nuk ka qenë kurrë më e pastër, nuk ka pasur kurrë kaq shumë shkolla të bëra në të njëjtën kohë, qëkur u kthye nga një periferi e Tiranës, në qytetin e 5 osë të 6-të në Republikën e Shqipërisë. Rakipi ka bërë një punë të jashtëzakonshme në një zonë që, duhet ta pranojmë, nuk ka qenë një zonë e majtë. Sondazhet janë jashtëzakonisht premtuese, besoj që kësaj here, jo si në 2019-tën, por me një garë të mirëfilltë, do luftojmë për fitoren e Rakipit”, deklaroi Veliaj
Sa i takon listës për këshilltarë bashkiakë, Veliaj tha se do ketë prurje të reja nga fusha akademike.
“Këshillat Bashkiake do te respektojne balancën gjinore. Kemi bërë një shartim të disa rrymave, që përfaqësojnë shoqërinë e Tiranës, edhe të disa krahinave. Sigurisht, Tirana tani është mozaiku që përfaqëson gjithë Shqipërinë. Kemi disa prurje të reja nga bota akademike dhe kemi një kryesisht një fokus tek juristët dhe financierët, duke qenë se Këshilli Bashkiak do të duhet të marre vendime të rëndësishme për vazhdimsinë e punëve në Tiranë. Kemi disa projekte madhore që duam të kalojmë: Stadiumin e ri ‘Selman Stermasi’, Pallatin e ri të sportit “Asllan Rusi”, dy hangarë që e kanë tejkaluar moshën e tyre dhe duhet që t’i bëjmë të reja. Do të thotë që do të bëjmë disa procedura ligjore dhe skema financiare për të bërë këto investime. Te “Bulevardi i Ri” do të duhet që të vazhdojmë me një tjetër Pallat të Kongreseve. Ky që kemi shumë i mirë, por që sot është i rezervuar, kështu që do të duhet të bëjmë disa investime të mëdhaja aty. Bashkia e re e Tiranës do të transferohet te Bulevardi i Ri. Kështu që, për të gjithë këto operacione të rëndësishme të kryeqytetit po kërkojmë ekonomistë dhe juristë të zotë. Jam vërtetë i kënaqur që kemi një përfaqësi të të rinjve. Në sondazhet e fundit ne fitojmë në çdo moshë, por kryesisht tek mosha e të rinjve kemi pasur mbështetje më të madhe. Nuk e di kush ka ndikuar, puna, Viti Rinës, Viti i Sportit, kështu që duam që të rritet dhe përfaqësia e tyre. Do të jetë vërtetë një listë qytetare, që do synojë atë që është dhe ambicia ime për një fushatë pozitive në Tiranë. Unë nuk besoj se Tirana ka parë hajër as nga tramet imagjinarë, as nga këto historitë e shportave falas në fushatë. Tirana ka parë hajër kur ka pasur punë, kur ka pasur përqëndrim për t’i bashkuar njerëzit. Kur ne shqiptarët bëhemi bashkë dhe nuk i vëmë stërkëmbësha njëri-tjetrit, ne bëjmë gjëra të mrekullueshme”, deklaroi ai.
Vëliaj bëri të ditur se në Këshillin Bashkiak do të ketë edhe disa zv. Ministra. “Do të ketë një përfaqësi të zv.Ministave sepse unë besoj fort që lidhja e Tiranës me qeverinë qëndrore duhet të vazhdojë të forcohet. Patjetër që kemi një super avantazh, Kryeministri, ish Kryetari i Bashkisë së Tiranës, kupton ndoshta edhe më shpejt se kushdo tjetër ku është zemreku i Tiranës dhe ç’a nevojash ka, kështu që duam ta forcojmë këtë lidhje”, deklaroi Veliaj.