Ndryshon rregullorja e Kuvendit/ PS propozon përjashtim deri në 60 ditë për flakadanë e kapsolla

schedule15:37 - 7 Dhjetor, 2023

schedule 15:37 - 7 Dhjetor, 2023

Deri më tani, veprime si këto, dënoheshin maksimumi me 10 ditë përjashtim të deputetit përkatës. Por kjo masë nuk ka frenuar ligjvënësit, të cilët, me mbarimin e dënimit ktheshin ën Kuvend me aksion edhe më të ashpër.

Në këto kushte, Partia Socialiste ka menduar të ndërhyjë duke ashpërsuar masat ndëshkuese, dhe për t’i përjashtuar deputetët me 1 apo dy muaj në varësi të veprës.

Ky është propozimi për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Nëse ky dokument miratohet, një deputet do të përjashtohet 30 ditë nga Kuvendi, nëse dhunon një deputet tjetër, një ministër, një punonjës të Kuvendit apo të Gardës së Republikës.

Ndëshkimi do të jetë me 1 muaj, edhe për ata që dëmtojnë pajisjes dhe orenditë, apo që i përsërit këto veprime. Përjashtimi do të jetë më i rëndë, me 2 muaj, për ata deputetë që ndezin tymuese, kapsolla, hedhin bojë apo lëndë të ngjashme.

Masa 60 ditore do të aplikohet për deputetët, të cilët kryejnë akte që janë edhe shkelje penale, sic mund të jetë zjarrvënia e qëllimshme. Deri më tani, Rregullorja thoshte se një deputet i ndëshkuar nuk lejohet të marrë pjesë në komisione dhe në seancën plenare.

Opozitarët pretenduan në një ditë si kjo, se ata mund të hynin gjithësesi në Kuvend, për të përdorur zyrat e tyre për qëllime të tjera. Socialistët duan ta mbyllin edhe këtë boshllëk, dhe në ndryshimet e propozuara thonë se një deputet i dënuar me përjashtim, nuk mund të jetë askund në ambientet e Kuvendit.

Rregullorja e Kuvendit do të miratohet me procedurë të përshpejtuar, dhe nëse nuk merr dakordësinë e opozitës, sic edhe pritet, do të përbëjë rastin e parë kur dokumenti i përbashkët i punës ndryshohet pa konsensus. Gjithmonë nëse konsensusin nuk e certifikon një dakordësi e mundshme e grupit të Bashës, i cili nuk e ka bekuar sjelljen e grupimit Bardhi-Berisha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!