Nga Robert Ellis “National Interest”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Lajmi se presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ka vendosur ta bëjë vendin e tij një anëtar me të drejta të plota të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), nuk duhet të cilësohet si i habitshëm. Në fund të fundit, kjo ka qenë në planet e Ankarasë prej disa kohësh.
Nga një aleate e vendosur e NATO-s gjatë Luftës së Ftohtë, me ardhjen në pushtet të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në vitin 2002, Turqia ka pësuar një ndryshim të dukshëm
të kursit të saj. AKP u ngrit si një Feniks nga hiri i Partisë Islamike të Mirëqenies së Necmettin Erbakan, e cila u nxor jashtë ligjit në vitin 1998 dhe nën udhëheqjen e ish-kryebashkiakut të Stambollit, u riemërtua si një demokraci myslimane.
Turqia, që nën drejtimin e ish-kryeministrit, Bülent Ecevit, ishte pranuar si një kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian në samitin e Helsinkit në vitin 1999, e vazhdoi linjën e reformave politike dhe ekonomike të iniciuara nga Ecevit dhe madje në vitin 2005 nisi bisedimet e pranimit në union.
Ajo u paraqit në fillim si një parti e moderuar, me pikëpamje perëndimore, neo-liberale. Prandaj u vlerësua në arenën ndërkombëtare. Në vitin 2007, Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice, u shpreh se AKP ishte “një qeveri e përkushtuar për ta zhvendosur Turqinë drejt Perëndimit dhe drejt Evropës”.
Një vit më vonë, Ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt deklaroi se “qeveria e AKP-së përbëhet nga reformatorë të përkushtuar”. Ndërkohë gjatë një vizite që zhvilloi në Turqi në vitin 2009, presidenti Barack Obama foli për një “partneritet model” midis një kombi kryesisht të krishterë dhe një kombi kryesisht mysliman.
Shtatë vjet më vonë, në një intervistë për “The Atlantic”, një Obama i zhgënjyer e etiketoi Erdoganin si një udhëheqës të dështuar dhe autoritar. Por deri në vitin 2012, disa ministra të Jashtëm të BE-së e shpallën Turqinë si “një shembull frymëzues të një vendi laik dhe demokratik”, deklaratë që u kundërshtua nënkryetari i Partisë Popullore Republikane (CHP), Faruk Logoglu.
Sipas Logoglu, perceptimi i diplomatëve mbi situatën në Turqi ishte për fat të keq jashtë realitetit. Kjo pasi AKP-ja kishte nisur të ndiqte një politikë autoritare dhe të një islamizimi në rritje brenda arsimit, shkencës, politikës, ekonomisë, forcave të armatosura dhe shoqërisë civile.
Me pak fjalë, demokracia në Turqi ekzistonte kryesisht në mënyrë abstrakte, ndërsa shteti i së drejtës, një shtyllë themeluese e qytetërimit perëndimor, nuk ishte më pjesë e shoqërisë turke. Në anën tjetër të Atlantikut, 84 ish-ligjvënës amerikanë, zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë të sigurisë kombëtare i dërguan një letër presidentit Obama, duke i kërkuar atij ta bënte publikisht të qartë se veprimet autokratike dhe demagogjia e kryeministrit të atëhershëm Erdogan po i përmbysnin institucionet politike të Turqisë dhe po vinin në rrezik marrëdhëniet SHBA-Turqi.
Por si degraduan gjërat në këtë mënyrë? Një intervistë me gazetarin e njohur turk, Sedat Ergin fitues të shumë çmimeve, është shumë informuese. Sipas tij Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja e blenë narrativën e AKP-së. Gjatë viteve 2002-2008 pati një konsensus për t’i dhënë përparësi reformave të BE-së.
Por pasi AKP mori e vetme 47 për qind të votave në zgjedhjet e 2007-ës (në vitin 2002 kishte vetëm 34 për qind), nisën të dobësohen mekanizmat e kontrollit dhe balancimit të pushteteve. Duke nisur nga viti 2008, Erdogan nisi të shfaqë një mentalitet jo liberal dhe larg perspektivës së BE-së.
Periudha midis viteve 2008-2013, u karakterizua nga një sërë sprovash spektakolare, që synonin kundërshtarët ushtarakë dhe laikë. Në fund të asaj periudhe radha i erdhi mbështetësve liberalë të AKP-së. Siç e bëri të qartë Aziz Babuscu, kryetari i degës së AKP-së në Stamboll, në parti nuk do të kishte më vend për liberalët që e kishin mbështetur Erdogan në dekadën e parë të qeverisjes.
Shtypja e brutale nga qeveria e AKP-së ndaj protestave në Parkun Gezi, të cilat nisën një protestë mjedisore në Stamboll në majin e vitit 2013, por u përhap në 80 nga 81 provincat e Turqisë, ishte dëshmi e këtij ndryshimi për keq. Marietje Schaake, eurodeputete liberale holandeze në Parlamentit Evropian deklaroi: “Ëndrra jonë për një Turqi evropiane është kthyer në një makth, ndaj është koha të zgjohemi nga ky iluzion”.
Një tjetër liberal evropian, ministri britanik Andrew Duff, thjesht arriti në përfundimin se AKP e kishte zëvendësuar kemalizmin me islamizmin. Politologu turk Koray Caliskan, i cili që nga ajo kohë është zhvendosur me banim në Shtetet e Bashkuara, e bëri të qartë në të përditshmen turke “Radikal” se për AKP-në, procesi i BE-së ishte një hap strategjik për ta kthyer ushtrinë në një vegël të saj.
Pasi vendosi dominimin e plotë në politikën civile, u braktis procesi i anëtarësimit në BE.
Siç vuri në dukje një studim nga SWP (Instituti Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë) në Berlin, kërkesa e Turqisë për të hyrë në BE nuk ishte e motivuar nga dëshira për reforma demokratike, por ishte më tepër një instrument për të lehtësuar zhvillimin e vet ekonomik.
Për sa i përket politikës së jashtme, si Turqia po ashtu edhe Rusia ndajnë të njëjtën ëndërr revanshiste për zgjerime territoriale. Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin përmend shpesh Pjetrin e Madh, homologu i tij turk është frymëzuar nga një vizion i madhështisë osmane.
Në fillim, forca shtytëse ishte kryekëshilltari i tij, që më vonë u bë Ministër i Jashtëm dhe aktualisht është kryeministri Ahmet Davutoglu. Në veprën e tij kryesore, “Thellësia Strategjike”, duke u bazuar tek modeli i suksesshëm i Komonuelthit Britanik, Davutoglu mbrojti tezën se politika e jashtme e Turqisë duhet të ndërtohej mbi angazhimin me vendet me të cilat ajo ndante të kaluarën dhe gjeografinë e përbashkët.
Pra në Ballkan, Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore dhe Lindore. Siç u shpreh ai në një fjalim në Sarajevë në vitin 2009: “Ashtu si në shekullin XVI-të, kur po ndërtohej Ballkani osman, ne do ta bëjmë sërish në të ardhmen Ballkanin, Kaukazin dhe Lindjen e Mesme, së bashku me Turqinë, qendrën e politikës botërore”.
Tre vjet më vonë, Davutoglu e zgjeroi vizionin e tij në një kongres të AKP-së në Konia: “Në ecjen përpara të kombit tonë të shenjtë, AKP sinjalizon lindjen e një fuqie globale dhe të misionit për një rend të ri botëror”. Rendi botëror (nizam-i âlem) ishte një koncept osman, sipas të cilit rendi botëror në të gjitha aspektet e tij – politik, social dhe ekonomik – sundohej nga feja (Islami).
Kjo politikë, e quajtur gjerësisht si neo-otomanizëm, ishte arma fillestare për zgjerimin e Turqisë, e cila tani ka çuar në një prani turke jo vetëm në Libi, Siri dhe Irak, por edhe në Gjirin Persik, Detin e Kuq, Bririn e Afrikës dhe Qipro. Po ashtu Erdogan ka folur gjithashtu për rrëzimin e Traktatit të Lozanës të vitit 1923, që caktoi kufijtë e Turqisë së sotme dhe kthim në Paktin Kombëtar (Misak-i Millî) të miratuar nga parlamenti osman në vitin 1920. Ai parashikonte përfshirjen e zonave të Greqisë së sotme, Qipros, Sirisë dhe Irakut.
Pastaj është doktrina detare e “Atdheut Blu” (Mavi Vatan ), që përfshin një zonë të gjerë të Mesdheut Lindor, Egjeut dhe Detit të Zi. Davutoglu ka folur shpeshherë për strategjinë “zero probleme me fqinjët”. Por në vitin 20013, Jihad al-Zein, një gazetar libanez dhe ish-mbështetës i AKP-së, shkroi mbi politikat e jashtme të gabuara të Turqisë dhe arriti në përfundimin se sjellja e Erdoganit dukej më e afërt me atë të një sundimtari ushtarak arab të stilit të vjetër.
Dy vjet më vonë, shefja e marrëdhënieve ndërkombëtare të presidentit Erdogan, Ayse Sözen Usluer, tha se Turqia nuk ndjente nevojë të zgjidhte midis Perëndimit dhe Lindjes, apo midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Sepse Turqia nuk e sheh më politikën e saj të jashtme në kuadër të Luftës së Ftohtë apo aleancave Lindje kundër Perëndimit.
Kjo është theksuar qartë nga bashkëpunimi mes Turqisë dhe Rusisë, edhe pse Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov e ka cilësuar Turqinë më shumë një partnere të ngushtë sesa një aleate strategjike. Në një takim me Putinin në Shën Petersburg në vitin 2013, Erdogan shprehu zhgënjimin e tij për ngërçin e vendit të tij me BE-në, dhe i bëri thirrje Putinit ta lejonte Turqinë të bëhej pjesë e Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait (SCO) “që të na shpëtojë nga ky telash” (kërkesat e BE-së për reforma të mirëfillta).
Por në janar të këtij viti, Erdogan deklaroi se anëtarësimi në BE mbetet ende një prioritet strategjik, gjë që tregon se sa i frikësuar është ai nga kolapsi i ekonomisë së Turqisë. Ndërkohë pas kthimit të tij nga samiti i 22-të i SCO-së, ku përfshihen Rusia, Kina, India, Pakistani, dhe 4 shtete të Azisë Qendrore (Turqia është një partnere dialogu), Erdogan deklaroi se synimi i tij ishte të kërkonte anëtarësimin e plotë.
Këtij grupimi do ti bashkohet edhe Irani. SCO, që nisi si “Pesëshja e Shangait”, është cilësuar si një organizatë anti-NATO. Sipas një diplomati të lartë rus, anëtarësimi në SCO është i papajtueshëm me anëtarësimin në NATO. Dilema e Turqisë, është se ajo përballet me 2 orientime.
Nga njëra anë, ajo është e lidhur me Perëndimin nëpërmjet anëtarësimit të saj në NATO dhe Këshillin e Evropës, por edhe me aspiratat e saj në BE. Nga ana tjetër, sidomos që kur AKP
u nda me lëvizjen Gylen, ajo po joshet nga Lindja, e cila karakterizohet nga ngritja e euroazianizmi dhe anti-perëndimorizimi.
Themeluesi i republikës turke, Mustafa Kemal Atatürk, e ndryshoi disa shekuj Turqinë duke e bërë pjesë të botës perëndimore. Por Davutoglu hodhi poshtë një shekull të sundimit republikan dhe paralajmëroi lindjen e “Turqisë së re”.
Shënim:Robert Ellis, këshilltar ndërkombëtar në RIEAS (Instituti i Kërkimeve për Studime Evropiane dhe Amerikane) me seli në Athinë.