Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, ministri i Jashtëm gjerman Hajko Mas ka ripohuar qëndrimin e Berlinit kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Mas ka deklaruar se çdo përpjekje për të prishur diversitetin etnik përmes lëvizjes së vijave kufitare është e rrezikshme. Mas ka nënvizuar se mënyra e duhur për pajtimin mes dy vendeve është rritja e tolerancës dhe pranimi i diversitetit. “Dhe çdo përpjekje për ta zhdukur atë përmes kufijve është një lëvizje e rrezikshme”, ka theksuar Mas.
Sikurse gjatë vizitës së dy ditëve më parë në Shkup, Mas ka shprehur mbështetjen për marrëveshjen e Prespës mes Greqisë dhe Maqedonisë, të cilën e ka cilësuar një “shans historik” që do të ndikojë pozitivisht në rajon. “Marrëveshja është shenjë e politikës së përgjegjshme të Athinës, edhe pse ka shumë të pakënaqur”, ka thënë Mas. /abcnews.al