Ndryshimi i kufijve Kosovë-Serbi, pse ndryshoi Thaçi mendim, Hasimja: Rama nuk mund të ndërhyjë

schedule20:32 - 16 Tetor, 2021

schedule 20:32 - 16 Tetor, 2021

Emisioni Vetting- Nacionalizmi, streha e fundit e politikanëve

Retorikat nacionaliste a patriotike të politikanëve shqiptarë, jo rrallëherë përplasen në kohë. “Vetting” sjell në vëmendje refuzimin e prerë që Thaçi i bënte ndryshimit të kufijve në vitin 2011, pikërisht nga Shqipëria, në një takim me kryeministrin e kohës Sali Berishën. Ai e konsideronte  tjetërsimin territorial jo vetëm si një ide primitive por edhe me risk të lartë për rajonin dhe vetë Kosovën.

Por, kur dhe kush do të bënte që ish kreu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ti shikonte ndryshimet territoriale Kosovë Serbi, si korrigjime në favor të shqiptarëve? Zërat se Vuçiç dhe Rama ishin marr vesh për një plan të tillë gjatë takimit në Nish në vitin 2016, u shtuan në kohë. Nga Kosova faktin e denoncuan jo vetëm figura politike si Edita Tahiri, por edhe ish-ministri serb Vuk Jeremiç e Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Birseko. Në një intervistë për zërin e Amerikës, në gusht të vitit 2018, Thaçi, duke refuzuar kategorikisht ndarjen e Kosovës, dukej i “pajtuar” me idenë e korrigjimit të kufijve, që sipas tij do të ishin në funksion të Paqes me Serbinë dhe njohjes së Kosovës.

Pavarësisht peshës së akuzave politike dhe etiketimit të opinionit publik si tradhtar, Hashim Thaçi, vendosi ta mbajë i vetëm përgjegjësinë duke u vetëshpallur ideatori për këtë korrigjim kufijsh që do të përfshinte Medvegjën, Preshevën dhe Bujanovcin. Por nga ana tjetër Rama në sulmin që po i bëhej nuk do ta linte pa mbështetje.

Debati për korigjimin e kufijve u kontestua ashpër jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri, duke ringjallur edhe retorikat nacionaliste. Ish-kryeministri Sali berisha në reagimet e tij bënte thirrje qytetarëve dhe deputetëve të Kosovës që ti jepnin fund  situatës së krijuar dramatike. Ndërkaq, sa i përket autorësisë së idesë së ndryshimit të kufijve, në takimin me liderin e Vetëvendosjes në shtator të vitit 2018, do të tregonte një version tjetër të historisë, duke u shprehur se kjo ishte një ide e vjetër e Beogradit të cilën Tirana por edhe Prishtina zyrtare e vetë Thaçi e kishin kundërshtuar më herët.

Por përtej diskutimeve, politologu Ermal Hasimja, thotë se vendimmarrja për ndryshimin e kufijve, nuk është as e politikanëve të Shqipërisë e as e faktorëve të tjerë të jashtëm.

Madje edhe sipas statistikave të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të hapur, 70 përqind e shqiptarëve në Kosovë, 52 përqind e shqiptarëve në Shqipëri dhe 80 përqind e serbëve në Kosovë janë kundër idesë së korrigjimit të kufijve. /Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!