“Ndryshimi i klimës një kërcënim më i madh se lufta”

schedule20:29 - 14 Qershor, 2022

schedule 20:29 - 14 Qershor, 2022

Fixhi ka thënë në një samit aziatik të sigurisë se ndryshimi i klimës është një kërcënim më i madh për Paqësorin sesa tensionet ushtarake.

“Mitralozat, avionët luftarakë… nuk janë shqetësimi ynë kryesor i sigurisë. Kërcënimi i vetëm më i madh për vetë ekzistencën tonë është ndryshimi i klimës,” tha ministri i Mbrojtjes së Fixhit, Inia Seruiratu.

Ai po i drejtohej një samiti në Singapor, i cili u fokusua në tensionet Kinë-SHBA dhe luftën në Ukrainë.

Ciklonet kanë goditur vazhdimisht Fixhin dhe vendet e tjera të ulëta të Paqësorit.

“Kjo kërcënon vetë shpresat dhe ëndrrat tona për prosperitet. Ndryshimet klimatike shkatërruese janë shkaktuar nga njerëzit,” i tha zoti Seruiratu forumit, të quajtur Dialogu Shangri-La.

Përmbytjet në Fixhi të shkaktuara nga ciklonet tropikale kanë zhvendosur mijëra njerëz në vitet e fundit dhe kanë shkaktuar kërdi ekonomike.

Shtetet e Paqësorit u kanë kërkuar vendeve të zhvilluara të industrializuara që të bëjnë më shumë për të luftuar ndryshimet klimatike.

“Dallgët po përplasen në pragjet tona, erërat po godasin shtëpitë tona, ne po sulmohemi nga ky armik nga shumë këndvështrime,” u tha Seruiratu delegatëve, shkruan BBC.

Bota tani është rreth 1.2C më e ngrohtë se sa ishte në shekullin e 19-të – si rezultat i djegies së lëndëve djegëse fosile nga njerëzit, të cilat lëshojnë gazra serë, kryesisht dioksid karboni (CO2)./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!