Ligji i Sportit ka pësuar sërish disa ndryshime, të cilat kanë kaluar sot në Komisionin Kuvendor përkatës. Deputeti Fidel Ylli relator i këtij drafti mbrojti ndryshimet e ardhura në Qeveri. Ndërkaq, po ky komision ka rrëzuar disa nene të propozuara më parë nga Ministria përkatëse, teksa drafti jep më shumë trajtim e mbështetje sportistëve elitarë dhe formës së funksionimit të klubeve të futbollit.
“Përpara kam sportin, pastaj kam politikën. Sporti ishte ai që më mbështeti të vij këtu dhe të ketë një zë, që kurrë nuk e ka pasur. Kemi bërë disa amendime, që të jemi konform ligjeve europiane”, tha fillimisht Fidel Ylli, i cili më pas tërhoqi vërejtje për mënyrën se si Bashkitë i financojnë klubet e futbollit.
“Nuk do të financojmë më rroga, si në kohën e monizmit. Kemi Vllazninë që harxhon 1 miliard lek për ta mbajtur në kategori të dytë ekipin, me lekët e taksapaguesve. Ose bashkitë e majta, që paguajnë nga 500 mijë euro. Është çmenduri kjo, është diskriminim për sportet e tjera.
Si të lëmë ne Bashkinë e Lushnjës, që është e jona, të paguajë 500 mijë euro për futbollin në kategorinë e dytë. Paska ‘pashai’ Këshillin Bashkiak dhe bën çfarë të dojë. Do bëjmë një ndërhyrje te ligji i Buxhetit dhe të përcaktohen shtyllat e investimit.
Nuk mund të bëjnë çfarë të duan. Një kryetar bashkie ka kampion bote në peshëngritje dhe nuk jep asnjë lek, një tjetër i jep futbollit 1 miliard lek. Ç’është ky diskriminim”, deklaroi Ylli. /abcnews.al