Demokratët nuk po gjejnë qetësi për votën e diasporës.
Pasi Sali Berisha bëri një hap pas duke paralajmëruar votën pro për nenin që mundëson pagesën e plotë të postës nga shteti, Oerd Bylykbashi, nuk u paraqit këtë të hënë në Komisionin e Ligjeve, duke bërë që diskutimet për ndryshimet në kodin zgjedhor të shtyhen për të martën me dakortësinë edhe të shumicës parlamentare.
Mungesa e Bylykbashit në sallë u cilësua e qëllimshme nga Enkelejd Alibeaj. Përfaqësuesi i Djathtas 1912, akuzoi ish kolegun e tij dhe Gjiknurin se nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të gjitha ndryshimet ndaj duan më shumë kohë për dakortësuar një marrëveshje të rradhës mes dy partive të mëdha.
Pretendim i cili u kundërshtua nga kryetarja e komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.
Deri më tani, dakordësia është vetëm për pagesën e postës për fletët e votimit.
Ndërsa sa i përket afrimit me 10 ditë të afatit të dorëzimit të listës së kandidatëve, kryedemokrati ka deklaruar votën kundër, në rast se PS nuk pranon kërkesën e tij që emigrantët të votojnë me dokumenta të huaja. Kjo do të vështirësonte punën e KQZ, e cila do ti shpërndajë me vonë fletet e votimit dhe shumë zarfe do të rrezikonin që të mos mbërrinin në kohë brenda territorit shqiptar. Në këto kushte, mbetet për tu parë, nëse PS do të pranojë kerkesen e tyre për komisionere politike për numërimin e votës së diasporës.
Një ndryshim tjetër i kërkuar nga Celibashi është edhe për ankimimet që shtetasit nga jashtë mund të bejnë në rast se nuk do të kenë emrin në listat e zgjedhësve apo regjistrimi i tyre do ketë pasaktësi. Ata do të mund ti drejtohen gjykatës me kërkesë 30 ditë përpara zgjedhjeve nga 7 ditë është aktualisht. Për lehtësi kërkesa do të behet online./abcnews.al