Ndryshimet Kushtetuese, Rushaj: Jemi të ndarë me PS, prioritet kemi 3 propozimet tona

schedule12:08 - 21 Tetor, 2021

schedule 12:08 - 21 Tetor, 2021

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj edhe një herë ka theksuar se PD është e fokusuar tek shtyrja përpara e amendamenteve të propozuara nga partia që ai përfaqëson lidhur me vettingun e Politikanëve, Reformën Zgjedhore dhe për Reformën Territoriale.

I pyetur nëse do të ketë një akordim për kalim edhe të zgjatjes së Vettingut, gjë e cila është kërkuar nga Partia Socialiste, Rushaj ka thënë se kjo nuk është prioritet i PD. Sipas tij agjenda e PD-së është vetëm tek 3 amendamentet e propozuara prej tyre.

Pyetje: PS ka depozituar një ndryshim kushtetues lidhur me vetingun e magjistratëve, ju një ndryshim kushtetues që lidhet me sistemin zgjedhor dhe vetingun e politikanëve. A do të diskutohen njëherësh këto çështje? A e kushtëzoni ju votën tuaj me vetingun e politikanëve .

Alfred Rushaj: Ndryshimet që janë depozituar kanë të bëjnë më ndryshimin e ligjit themeltar të Kushtetutës. Procedura e do që të gjitha ndryshimet që kanë të bëjnë me një ligj, përmblidhen dhe në këtë rast të Kushtetutës, pra diskutohen në një mbledhje të përbashkët të Komisionit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve. Kështu që, besoj se në mbledhjen e ardhshme të kësaj mbledhje të përbashkët do të diskutohen këto gjëra.

Pyetje: Pra, do të jetë një votë e kushtëzuar, vota juaj për vetingun e magjistratëve me vetingun e politikanëve dhe kërkesat tuaja?

Alfred Rushaj:  Axhenda jonë është e pavarur nga ajo e Partisë Socialiste. Ne mendojmë që duhet të shtyjmë përpara prioritetet e shqiptarëve, natyrisht dhe të opozitës shqiptare. Prioritet tona të shprehura disa herë kanë të bëjnë me votën e lirë dhe reformën zgjedhore. Kanë të bëjnë me reformën territoriale, me ofrimin sa më afër të shërbimeve ndaj qytetarëve që sot duhet të lëvizin në disa raste me qindra kilometra për t’i marrë. Dhe kanë të bëjnë dhe natyrisht me korrupsionin dhe pastërtinë e figurës apo integritetit të figurës së politikanëve shqiptarë. Është axhenda jonë dhe duhet çuar përpara. /abcnews.al/