Analisti Mentor Nazarko, gjatë intervistës për emisionin “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku, komentoi gjithashtu edhe zhvillimet në Maqedoninë e Veriut dhe diskutimet për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat luajnë një rol kyç për rrugën e vendit fqinj drejt Bashkimit Evropian.
“Që të arrihen ndryshimet kushtetuese në terma praktikë, duhet të ndodhin dy ngjarje. Së pari, që faktori shqiptar, qoftë edhe ai në opozitë, të kompaktësohet dhe të votojë pro këtyre ndryshimeve. Pra edhe partitë e vogla shqiptare në opozitë ta shprehin të qartë ndryshimin pro qëndrimeve dhe të shtyjnë në një moment tjetër realizimin e atyre kushteve që kanë vendosur për 20 përqindëshin si formulim nga kushtetuta.
Së dyti, që një pjesë e opozitës që sot është në flamurin e VMRO-së, të votojë pro këtyre ndryshimeve. Shpresa e perëndimit që të ndodhë kjo lidhet me rolin e Gruevskit apo ish udhëheqësit të VMRO-së, i cili në emër të ndryshimit dhe zbutjes së qëndrimeve legale, penale apo juridike ndaj tij të mobilizojë një numër votash të ndryshimeve kushtetuese dhe ka shenja që kjo gjë mund të ndodhë.”, u shpreh Nazarko./abcnews.al