Mesazhi i PPE: Nëse doni anëtarësim ndiqni këshillat e BE, prishja e konsensusit e papranueshme!

schedule11:19 - 31 Korrik, 2020

schedule 11:19 - 31 Korrik, 2020

Parlamenti shqiptar votoi të enjten ndryshimet Kushtetuese për Reformën Zgjedhore. Në lidhje me këtë çështje, ka reaguar edhe zëdhënësi i PPE në Parlamentin Europian.

Në një postim të tijin në Facebook, Michael Gahler shkruan se është për të ardhur keq, dhe e dyshimtë që partia “qeverisëse e Shqipërisë theu konsensusin e arritur ndërkombëtarisht me opozitën dhe dje ndryshoi në mënyrë të njëanshme kushtetutën.”

Me tej në postimin e tij, Gahler shkruan se nuk është e pranueshme që qeveria Rama, që kërkon hapjen e negociatave me BE, “bën ndryshime arbitrare të rregullave të lojës elektrorale.”

Sipas tij, grupi i PPE do të vijojë që të ndjekë me kujdes lëvizjet e ardhshme sa i përket ndryshimit të kodit zgjedhor ndërsa shtoi se nxisin me vendosmëri që të arrihet një konsensus me opozitën në Këshillin Politik.

Postimi i plotë:

“Për ata miq të Facebook që kanë një interes të veçantë në Shqipëri:

Unë e gjykoj shumë me keqardhje dhe si të diskutueshëm në lidhje me qëllimet e tyre të vërteta që partia qeverisëse e Shqipërisë theu konsensusin e arritur ndërkombëtarisht me opozitën dhe dje ndryshoi në mënyrë të njëanshme kushtetutën.

Nuk mund të jetë e pranueshme për askënd që qeveria Rama e cila dëshiron negociatat e pranimit me BE të nisë të ndryshojë në mënyrë arbitrare rregullat e lojës elektorale. Nëse kjo qeveri dëshiron me ndershmëri negociatat e pranimit me BE, si mund të mos pranojnë këshillat e Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare përkatëse për një çështje kaq të ndjeshme dhe themelore për demokracinë.

Grupi i PPE do të vëzhgojë me kujdes veprimet e ardhshme në lidhje me kodin zgjedhor dhe do të nxisë me forcë që të arrihet konsensusi me opozitën brenda Këshillit Politik.

Varet nga partitë dhe shqiptarët të mbrojnë demokracinë dhe perspektivën e tyre evropiane.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!