Ndryshimet kushtetuese, dështon seanca/ opozita refuzon amnistinë e Zaev

schedule22:30 - 15 Tetor, 2018

schedule 22:30 - 15 Tetor, 2018

Parlamenti maqedonas nuk ka arritur një marrëveshje për ndryshimet kushtetuese që rrjedhin nga marrëveshja e Prespës dhe bisedimet do të vijojnë ditën e martë. Ndërkohë, opozita ka refuzuar amnistinë e ofruar nga kryeministri Zaev për ngjarjet e 27 prillit.

Seanca për diskutimin e ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni është mbyllur pa një rezultat konkret dhe bisedimet mes mazhorancës dhe opozitës do të vazhdojnë të martën, në një seancë të re. Gjatë debatit, kryeministri Zoran Zaev i bëri thirrje opozitës të lërë mënjanë dallimet politike dhe të marrë parasysh të ardhmen e gjeneratave të reja. Gjithashtu, ai u shpreh i gatshëm të falë përgjegjësit e ngjarjes së 27 prillit, kur deputetët e VMRO-DPMNE-së sulmuan kolegët dhe vetë kryeministrin për të penguar ardhjen e tij në pushtet.

Zaev: “Ky është momenti më i mirë për të falur dhe për t’u pajtuar. Prej këtej ju dërgoj mesazhin për falje dhe pajtim për ngjarjet e 27 prillit. Unë e di që kjo ka një çmim politik, por jam i gatshëm ta paguaj. Politikanët shkojnë dhe vijnë, por shteti dhe populli mbeten përgjithmonë”.

Por në reagimin e tij, sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev deklaroi se opozita nuk kërkon amnisti, por drejtësi për ngjarjen, sipas tij të fabrikuar, të 27 prillit.

Janushev: “Lironi njerëzit nga paraburgimi dhe përndjekja politike dhe mundësoni për ta një drejtësi të re, me garanci për prezumimin e pafajësisë”.

Ndërkohë, partia Aleanca për Shqiptarët vlerësoi se Zaev ka të drejtë të falë, por vetëm si qytetar i këtij vendi e jo si kryeministër.

Syrja Rashidi: “Zaev ka të drejtë të falë, por vetëm si qytetar e jo si kryeministër”.

Ndërkohë, teksa zhvillohej seanca, një grup qytetarësh protestuan përpara Parlamentit kundër ndryshimeve kushtetuese. Me thirrjet “Nuk ju votuam për të ndryshuar emrin” dhe “dorëheqje” ata u kërkuan deputetëve të mos i mbështesin ndryshimet. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!