Ndryshimet klimatike po i përkeqësojnë alergjitë

schedule21:34 - 6 Maj, 2023

schedule 21:34 - 6 Maj, 2023

Çdo pranverë, shumë alergji shfaqen me të njëjtën konsistencë, por simptomat e shumë njerëzve duket se po përkeqësohen dhe ka të ngjarë që të fajësohen ndryshimet klimatike.

“Stinat e alergjive po bëhen më të gjata, më intensive”, sipas Kenneth Mendez, CEO i Fondacionit për Astma dhe Alergji në SHBA. Bimët prodhojnë më shumë polen për një periudhë më të gjatë kohore dhe problemi nuk është vetëm se temperaturat më të ngrohta zgjasin sezonin e rritjes së bimës. Vetë dioksidi i karbonit favorizon prodhimin e polenit.

Krahasuar me tridhjetë vjet më parë, sezoni i polenit në Amerikën e Veriut tani fillon njëzet ditë më herët, zgjat tetë ditë më shumë dhe prodhimi i polenit është rritur me 21%, sipas hulumtimit të botuar në revistën PNAS.

Ky përqendrim i polenit duket se shkakton alergji sezonale te njerëzit që më parë nuk kishin pasur simptoma. Alergjitë janë rritur në një shkallë rekord vitet e fundit: Në vitin 2018, 7.7% e të rriturve amerikanë kishin rinitit alergjik, por deri në vitin 2021, ky numër ishte rritur në rreth 25%.

Vitet e ardhshme pritet të jenë edhe më të ngrohta dhe pranvera mund të lëshojë më shumë polen në ajër. Shfaqja e alergjive sezonale varet kryesisht nga dy faktorë: predispozita gjenetike dhe mjedisi.

“Disa njerëz janë të predispozuar natyrshëm ndaj alergjive dhe ndryshimi i klimës po e përkeqëson këtë”, thotë Kathleen May, presidente e Kolegjit Amerikan të Alergjisë, Astmës dhe Imunologjisë.

Mjedisi, megjithatë, po ndryshon. Lidhja midis temperaturës, niveleve të dioksidit të karbonit dhe polenit është shumë mirë e dokumentuar. Shkencëtarët e kanë ditur për dekada që bimët lulëzojnë në një serë të ngrohtë me nivele të larta të dioksidit të karbonit dhe disa specie prodhojnë më shumë polen sesa do të bënin në kushte të tjera.

Një alergji ndodh kur sistemi imunitar i një personi gabimisht trajton një agjent të padëmshëm si të rrezikshëm dhe fillon të prodhojë antitrupa (IgE). Kur IgE zbulon një sasi të caktuar alergjeni, fillon një sulm ndaj “pushtuesit”, duke lëshuar kimikate që shkaktojnë kruajtje, teshtitje, mbingarkesë dhe simptoma të tjera klasike të një reaksioni alergjik.

Disa njerëz janë alergjikë pa e ditur

Gjërat ndërlikohen nga fakti se simptomat nuk shfaqen tek të gjithë ata që zhvillojnë antitrupa sa herë që bien në kontakt me pak polen. Me alergjitë sezonale, “duhet një kohë e caktuar ose ekspozimi” për të shkaktuar simptoma, shpjegon May. Me fjalë të tjera, disa njerëz që mendojnë se nuk kanë alergji në të vërtetë janë, ata thjesht nuk janë ekspozuar ndaj polenit të mjaftueshëm për të zhvilluar simptoma. Trupi reagon kur “percepton se ka shumë”, vëren Mendez.

Me ajrin plot me polen për periudha të gjata kohore, ndryshimet klimatike rritin shanset për të tejkaluar këtë prag për një reaksion alergjik.

“Disa nga njerëzit që nuk i kishin simptomat tani do të fillojnë t’i zhvillojnë. Dhe njerëzit që tashmë kanë alergji do të përkeqësohen,” shpjegon May.

Ndërsa planeti vazhdon të ngrohet, ata që vuajnë nga alergjitë do të rriten ndjeshëm, megjithëse është e paqartë saktësisht se sa. Në Evropë, modelet e parashikimit tregojnë se numri i njerëzve alergjikë ndaj bimës Ambrosia psilostachya do të dyfishohet, nga 33 milionë në 77 milionë, deri në vitin 2041 për shkak të ndryshimeve klimatike.

Ne nuk jemi të përgatitur për efektet e ndryshimeve klimatike në alergji. Me kalimin e kohës, temperaturat mund të bëhen aq të larta sa që prodhimi i polenit të zgjasë gjatë gjithë vitit, siç është tashmë rasti në pjesët më të ngrohta të SHBA-së, vëren William Andereg, profesor i biologjisë në Universitetin e Jutës dhe autori kryesor i studimit. Efektet mund të jenë veçanërisht të ashpra në qytete, ku temperaturat e ditës mund të jenë deri në shtatë gradë më të larta se në zonat rurale.

Alergjitë sezonale janë të lidhura me astmën, e cila mund të çojë në shtrimin në spital dhe t’i bëjë njerëzit më të prekshëm ndaj disa viruseve, përfshirë koronavirusin. “Ka gjithashtu ndikime të mëdha sociale për të cilat ne nuk mendojmë shumë,” duke përfshirë reduktimin e produktivitetit të punës dhe performancën e dobët të studentëve në shkollë, vuri në dukje Andereg.

Intensiteti i alergjive nuk është ndër efektet më shkatërruese të ndryshimeve klimatike, por sezoni i polenit është një kujtesë se edhe ndikimet më të vogla klimatike nuk janë domosdoshmërisht të thjeshta. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!