Për herë të parë në dekada, Katalonja po përballet me thatësirën më të keqe për shkak të ndryshimeve klimatike. Ekspertët po përpiqen të shpëtojnë gjallesat, duke i zhvendosur nga një prej rezervuarëve që ka furnizuar me ujë qytetin dhe rajonin verilindor të Katalonjës për gjysmë shekulli.
Katalonja, një nga 17 zonat autonome të Spanjës, është përfshirë nga thatësira më e madhe që është parë ndonjëherë në dekade. Në rezervuarin Sau, disa ekipe me varka të vogla janë duke shpëtuar peshqit me rrjeta.
Niveli i ujit ka rënë nën 10% të kapacitetit të rezervuarit dhe tashmë ekziston rreziku që uji të kontaminohet.
“Ne po përpiqemi të transferojmë ujin sa më shpejt që të mundemi, sepse cilësia tani në dimër ishte e mirë, por në pranverë do të bëhet shumë e keqe. Dhe ne po përpiqemi të nxjerrim të gjithë peshqit që mundemi”, tha Samuel Reyes, drejtor i Agjencisë Katalanase të Ujit.
Rezervuari Sau, 100 km në brendësi të Barcelonës, ka furnizuar me ujë qytetin dhe rajonin verilindor të Katalonjës për gjysmë shekulli. Por muajt e fundit është bërë simboli më i dukshëm i thatësirës më të madhe që kjo zonë ka parë në kujtesën e gjallë.
Pranë rezervuarit ndodhet edhe kisha e shekullit të 11-të “Sant Romà de Sau”, e cila u zhyt kur u krijua rezervuari në 1962, pamje që sot vështirë të kujtohet. Në kohën e shiut të bollshëm, ndërtesa në rezervuar, ulej nën nivelin e ujit, por tani qëndron disa metra mbi vijën e ujit, e rrethuar nga thatësira.
Megjithëse situata e Katalonjës është veçanërisht shqetësuese, pjesa më e madhe e vendit po përballet me sfida të ngjashme, kryesisht në zonat jugore dhe lindore. Në mesin e marsit, rezervuarët në pellgun e Andaluzisë përbënin mesatarisht 26% të kapacitetit të tyre, dhe në pellgun juglindor të Segura ishin në 36%.
Në mars, agjencia meteorologjike e Spanjës AEMET deklaroi se vendi në tërësi “vazhdon në një situatë të thatësirës meteorologjike e cila filloi më shumë se një vit më parë”.
Në Europë, rajone si Katalonja, e cila ndodhet në Detin Mesdhe janë më të rrezikuara, sipas meteorologut Miguel Manzanares, që studion ngjarjet ekstreme të motit në kontinent.
Bota është ngrohur me rreth 1.1C që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat pritet të vazhdojnë të rriten nëse nuk ka shkurtime drastike të emetimeve.
/abcnews.al